Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka bërë thirrje institucioneve të ngarkuara nga ligji të marrin përgjegjësitë që u takojnë në situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryetarit të zgjedhur të bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri.

Në lidhje me kompetencën e Këshillit Bashkiak në raport me Kryetarin e Bashkisë, në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak u konstatua fakti i mosparaqitjes së fituesit si Kryetar Bashkie Shkodër në zgjedhjet e datës 30 Qershor 2019, Z. Valdrin Pjetri për të bërë betimin në përputhje me ligjin. Sa më sipër, institucionet e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji duhet të marrin përgjegjësitë që ju takojnë në situatën e krijuar”, tha Balla.

Balla tha se sot shkodranët kanë “kuvendin” e tyre të ri lokal, të përbërë nga 51 këshilltarë bashkiakë të zgjedhur në Zgjedhjet Vendore të 30 Qershorit.

“Duke i uruar Këshillit të ri bashkiak urime në punën e tij shumë të rëndësishme, Partia Socialiste i shpreh ndjesë komunitetit te nderuar të Bashkisë së Shkodrës për situatën e krijuar pas dorëheqjes së detyrueshme të Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë, por si ne çdo rast ne qëndruam përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, vetëm në anën e ligjit dhe të interesit publik.

Si në çdo rast, kur mes palëve politike përfshihen institucionet ligjzbatuese dhe kur bëhet fjalë për raportin e individit me ligjin, Partia Socialiste nuk investohet në asnjë debat. Ligji është i barabartë për të gjithë dhe ai vetëm duhet zbatuar nga kushdo./tvklan.al