Studentët e Akademisë së Sigurisë do të kenë mundësi studimi në Akademinë e Policisë në Abu Dabi.

Marrëveshja e bashkëpunimit u bë e ditur nga ministri i Brendshëm Taulant Balla pas takimit të mbajtur me Drejtorin e Përgjithshëm të Kolegjit të Policisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas ministrit, ky bashkëpunim mes dy policive do u shërbejë studentëve shqiptarë të marrin më tepër eksperiencë në luftën kundër krimit kibernetik, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Takimi i zhvilluar nga ministri vjen në kuadër të vizitës zyrtare që ai po zhvillon në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pjesë e axhendës është dhe takimi me ministrin e Drejtësisë, me të cilin Balla pritet të diskutojë lidhur me çështjet e deportimit apo ekstradimit të shqiptarëve.

Çështja e ekstradimeve është në fokusin kryesor të autoriteteve shqiptare, të cilat prej muajsh po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të lidhur një marrëveshje ekstradimi me Dubain, vend ku falë Interpol Tirana janë lokalizuar disa të shumëkërkuar nga drejtësia.

Tv Klan