Gjatë mbledhjes së radhës së Organizatës Botërore të Turizmit në fokus ishin Investimet në Turizëm dhe Zhvillimi Ekonomik. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u ndal tek infrastruktura për përballimin e flukseve turistike, ku në plan është edhe aeroporti në Gjirokastër.  

Belinda Balluku, zv/Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës: Vetëm për pak muaj ne do të kemi aeroportin më të madh në Ballkan, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës i cili është i dizenjuar nga fillimi për të akomoduar të gjitha fluturimet transoqeanike. Kemi marrë një vendim të ri për të nisur procesin për një aeroport në jug të vendit duke e mbyllur kurorën e avioacionit civil, në Kukës, në Tiranë, në Vlorë dhe më pas në Gjirokastër.

Ndërsa Tuneli i Llogarasë u shpreh Balluku i shërben direkt edhe ndërlidhjes me Aeroportin e Vlorës.

Belinda Balluku, zv/Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës: Tuneli i Llogarasë i cili do të hapë një portë të re duke i dhënë një akses të gjithë atyre vizitorëve që do të ulen në Aeroportin e Vlorës për të kaluar në një tunel ku tani duhen vetëm 7 minuta.   

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro u shpreh se flukset e mëdha turistike të vitit të kaluar kanë sjellë mbi 4.2 miliard Euro të ardhura në ekonominë e Shqipërisë.

Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit: Turizmi nuk është thjesht çështje e numrit të vizitorëve, por është mbi të gjitha një çështje të ardhurash. Plot 4.2 miliard Euro të ardhura nga ekonomia e turizmit në ekonominë shqiptare për vitin 2023 – 2,8 miliard ishte kjo shifër për vitin 2022.

Puna si skuadër ka bërë që vendi të ketë sukses edhe në investimet në turizëm dhe jo vetëm u shpreh ministri Blendi Gonxhja.

Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit: Në çdo aspekt ku ne punojmë kemi një ekip të madh që punon si skuadër. Ne jemi me emra ministri i kësaj, ministri i asaj , porn ë fakt suksesi ka qëndruar gjithmonë që është parë sidomos në momentin që kemi pasur një stabilitet politik më të madh, duke punuar si skuadër dhe duke e menduar se Europa në kuptimin e standarteve është ajo që ne duhet të ndërtojmë këtu.

Konferenca për Investimet dhe Zhvillimin Ekonomik të Europës e Shqipërisë, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit, shërben si një mundësi e madhe për promovimin e Shqipërisë dhe shkëmbimin e eksperiencave mes vendeve në fushën e turizmit.

Klan News