Ish-Presidenti amerikan Barack Obama mesa duket është përfshirë në garën elektorale presidenciale në SHBA, për të ndihmuar Presidentin Joe Biden, të cilin gjatë presidencës së tij e ka patur zv/President.

CNN raporton se Barack Obama kishte shkuar në Shtëpinë e Bardhë ku për orë të tëra diskutoi me Joe Biden për mënyrën se si të mposhtin Donald Trumpin në zgjedhjet presidenciale të Nëntorit, teksa beteja politike ka ndezur tashmë motorët.

Mes Bidenit dhe Obamës pati edhe një video-telefonatë me Nancy Pelosin, ish-kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët diskutuan për 14-vjetorin e “Obamacare”, reformës së Barack Obamës në sistemin shëndetësor amerikan. Lidhur me këtë çështje, ish-Presidenti Obama tha: “Kemi mundësinë të bëjmë edhe më shumë, por kjo ndodh vetëm nëse mbajmë në Shtëpinë e Bardhë Joe Biden dhe Camala Harris (zv/presidentja)”.

CNN raporton gjithashtu se dy presidentët kanë planifikuar të tjera axhenda javët e ardhshme me synimin e vetëm për të mundësuar fitoren e Joe Biden.

Obama mban kontakte të ngushta me zyrtarët e administratës së Joe Biden. Ai ka ndihmuar Presidentin 81-vjeçar edhe në organizimet e takimeve për mbledhje fondesh.

Në një të tillë që është e planifikuar, do të jetë i pranishëm edhe ish-Presidenti tjetër Bill Clinton, për t’i dhënë “një dorë” Presidentit Biden.

“Askush nuk mund të flasë me demokratët e zhgënjyer më mirë se Presidenti Obama”, tha për CNN një person i afërt i ish-Presidentit.

Ndihma që po i japin Joe Biden dy ish-Presidentët Obama dhe Clinton tregon për përballjen e fortë politike me kundërshtarin e tyre republikan, ish-Presidentin Donald Trump që garon për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

/tvklan.al