Si një njeri me karrierë të gjatë politike, Genc Ruli e sheh kreun aktual të Partisë Demokratike si një politikan që sjell një frymë ndryshe dhe një model për të cilin Shqipëria ka nevojë. Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Ruli vlerëson se sukseset dhe mos sukseset e kryedemokratit janë të barabarta deri më tani, ndërsa mendon se ka reflektuar mbi gabime dhe ka kuptuar përse i ka bërë ato.   

Si e shikoni Lulzim Bashën, por i pa ndikuar nga raporti aktual me PD-në?

Raporti me Lulzim Bashën, ka prevaluar gjithmonë më shumë personalja se politikja. Qëkur jam njohur në fillim, pavarësisht dhe diferencës së moshës, kemi pasur një raport miqësor, deri diku dhe intim. Në momentet e vështira, për atë qeverisja qe më e vështirë sesa mua, sesa ai qe i ri.

Kur hyn tek pjesa politike, raporti jonë tensionohet dhe kjo fillon kryesisht pas 2014-s, kur ai merr rolin e liderit të partisë. Sigurisht Lul Basha ka tjetër lloj inkubacioni politik, krahasuar me 3 figurat e mëparshme.

Ka shumë njerëz që mendojnë se figurat e deritanishme kanë qenë shumë karizmatikë, shumë të zhurmshëm, me shumë vorbull rreth vetes së tyre, për mirë apo për keq.. ndërsa Basha u duket pak më pa formë…

Do doja që shoqëria shqiptare të fillonte të largohej disi nga ajo karizma e vrullshme prej kreshniku, që përgjithësisht është mësuar të ketë tek liderët shqiptarë. Të tingëllojë më shumë fjala princ, sesa drejtues. Në këtë format Basha vjen mëse pranueshëm. Në shkollimet e tij, në formatin e sjelljes, në fjalorin e tij. Thashë, ka një inkubacion politik jo të kapur në ngjarje kaq të vrullshme sa tonat. Po na plas mua dhe ne si burra politik me sforco të madhe brenda pak orësh, brenda pak muaj, kështu që në provat e deritanishme i ka ndarë si të thuash barabartë sukseset dhe mos sukseset. Mendoj që ka reflektuar, ka reaguar mbi ato çka ka bërë gabim dhe përse i ka bërë gabim. Sepse ka rëndësi të kuptosh edhe pse e ke bërë gabim.

E ka kuptuar përse i ka bërë gabim?

Mendoj që i ka kuptuar. Kjo është një konfidencë që njeriu e ka rrëfim me veten, reagim me veten dhe sinqeritet me veten. Është më i vështirë sinqeriteti me veten./tvklan.al