“Me efekt prapa-veprues, anulohen kontratat korruptive”

Kush është peshku i madh? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje për kontratat e inceneratorëve, kryetari i Partisë Demokratike prezantoi projektin e ndryshimeve në ligjin anti-mafia sapo opozita të vijë në pushtet. Basha thotë se të gjitha koncesionet do të kalojnë në filtër verifikimi dhe nëse kontatohet paligjshmëri ato do të shpallen të pavlefshme.

“Kontrata që është në përputhje me ligjin, ka forcën e ligjit. Kontrata që është në kundërshtim me ligjin është e pavlefshme. Ky rregull do të thotë që çdo gjë e marrë, e zhvatur e përfituar në mënyrë abuzive, do të duhet t’i kthehet publikut me efekt prapa veprues. Dua ta theksoj me efekt prapa veprues”.

Gjithçka do të nisë me një departament të posaçëm në qeveri, dosjet do t’i kalojnë SPAK dhe në fund do të vendosë gjykata.

“Barra e provës me mekanizmin anti-mafia, nuk është te prokurori por është te kompania private dhe tek zyrtari që ka miratuar kontratën apo aktin publik. Kompani që liçencohen pak para tenderit. Një në koncesionet e inceneratorëve, kompania është regjistruar një ditë para tenderit”.

Basha rendit edhe pikat që do ta bëjnë një kontratë koncesionare të pavlefshme. “Kompani pa përvojë, kompani ofshore, shpikje propozime të pakërkuara”.

Basha tha se Partia Demokratike është në kontakt edhe me agjenci të huaja ligjzbatuese për të gjurmuar se ku kanë shkuar paratë.

“Unë kam kontaktuar e kam harxhuar ditë të tëra, me krerët e agjencive të specializuara. Ndër më të specializuarat në botë, të aleatëve tanë strategjikë. Puna ka nisur dhe nesër me neve në qeverisje do të finalizohet, nuk kanë shpëtim”.

Në një intervistë të dhënë për Abc News më herët, Basha tha se mediat nuk kanë raportuar as një atentat të dështuar ndaj një biznesmeni në Tiranë duke i kërkuar policisë dhe prokurorisë të reagojë duke e zbardhur atë. 

“Pyetja është pse shumë media e shmangën denoncimin. Pse u shmang kjo dhe pse policia vetë është treguar e ngurtë në komunikimin e këtij rasti? Pa diskutim që e ka në komunikatën ditore të policisë, por ndërkohë ndryshe nga raste të tjera që janë edhe më pak të rënda se ky kemi një heshtje totale. A po veprohet?” 

Basha e konsideroi të rëndë situatën kriminale në vend duke premtuar ndryshimin e saj me ardhjen e opozitës në pushtet.  

Tv Klan