I ndodhur në punimet e  Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se sheh stepje për integrimin e Shqipërisë te përfaqësuesit e qeverive europiane pas çështjes Tahiri dhe implikimit të policisë në narkotrafik.

“Për fat të keq, ajo që vërej është një stepje e madhe e përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian sa i përket Shqipërisë. Në veçanti, shqetësime të mëdha në drejtim të shtetit ligjor, luftës kundër krimit, luftës kundër korrupsionit. Padyshim që episodi Tahiri dhe mbrojtja e tij politike me imunitet parlamentar, si dhe largimi në drejtim të paditur i 3 oficerëve madhorë, pasi ata u vunë nën akuzë dhe u kërkua arrestimi në lidhje me trafikun e drogës, kanë lënë një shije shumë të hidhur”.

Basha thotë se vendet anëtare po ngrenë probleme që opozita ka 4 vjet që i denoncon dhe që lidhen me kriminalizimin e politikës, fenomenin e kanabisit, parave që qarkullojnë grupe kriminale të cilat përmes kanaleve të ekonomisë informale i kanë dhënë krimit fuqi ekonomike dhe politike, siç u faktua sipas tij edhe në zgjedhjet e 25 Qershorit.

“Disavantazhi është që shumica dërrmuese e vendeve anëtare janë bërë shumë të ndërgjegjshme për këto problem. Kjo mund të pengojë rrugën europiane të Shqipërisë duke ndëshkuar qytetarët shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilëve nuk kanë lidhje as me kultivimin e drogës, as me trafikun e drogës, por janë ata që ndjejne efektet e para negative, siç janë shtrëngesat e lëvizjes sëë lirë apo edhe kërcënimet në disa raste për kthimin e vizave për shqiptarët, siç është edhe skepticizmi i madh me të cilin po përballen vendet anëtare sa i perket procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë”.

Kreu i opozitës thotë se interesi i saj është i lidhur me atë të qytetarëve shqiptarë. Ai përsërit se zgjidhje mbetet një qeveri antimafia që do të përgatisë reformën zgjedhore deri në një proces të ri elektoral të ndershëm.

Tv Klan