Qëndrimin e mbajtur nga Kryeministri Edi Rama, pas ngjarjeve të së enjtes në parlament, kreu i opozitës, Lulzim Basha e quan mbrojtje të kreut të qeverisë për Armando Prengën. Basha thotë se si opinioni publik, ashtu dhe Brukseli, janë të tronditur nga avokatia që Kryeministri po i bën Deputetit laçian.

“Fund i shëmtuar i kreativitetit, të bësh Deputet Armando Prengën. Më keq, ta marrësh në mbrojtje në të gjitha herët kur k​y Laç me kobure në xhep, tregon veten. Ndaj habitet Ambasadori pse Shullazi është i lirë. Pse Frroku arratiset me kollajllëk. Në habi janë kapur i madh e i vogël, se si një Kryeministër i kapur në shtrat me krimin, vazhdon ta riprodhojë atë, duke shtuar banditët kudo. E duke i mbrojtur ata deri në fund. Aq sa sot nuk dallon dot një ndryshim mes një strukture kriminale dhe qeverisë Rama”

Sipas Bashës, Partia Demokratike është sot e vetmja pengesë për Edi Ramën, që kërkon ta shndrrojë vendin në Republikë të trafikantëve, gangsterëve, e vrasësve.

“Është në fundin e tij dhe zhgërryhet edhe ca kohë me krimin. Demokratët, qytetarët, socialistët e ndershëm, të majtë e të djathtë do ta heqin këtë ciban. Duke u majmur e ngrefur, thjeshtë po afron theqafjen e tij”

Basha thotë se projekti i Edi Ramës për të patur Armando Prengën në vend të opozitës dhe ndërkombëtarëve tashmë është ndërprerë.

Tv Klan