Basha: Referendum, Shqipëria kurrë më 1 kryeministër për më shumë se 8 vite



Basha: Referendum, Shqipëria kurrë më 1 kryeministër për më shumë se 8 vite

22:20 28/05/2020

Kryetari i Partisë Demokratike tha se është i vendosur që me ardhjen në pushtet të vendosë rregullin që kurrë më Shqipëria të mos ketë një kryeministër për më shumë se 2 mandate, apo 8 vite.

Nëse këtë nuk do të mund ta arrijë në Kuvend, ai tha se do t’i drejtohet popullit me referendum.

Lulzim Basha: Do të kemi një reformë, pse jo edhe kushtetuese, që të garantojë që institucionet të jenë në dorë të qytetarëve. P.sh. kufizim i pushtetit të qeverisë, që të mos kemi prapë një Rama bis, larg qoftë, është propozimi im që të forcojmë kontrollin dhe balancën, ka shumë mënyra për ta bërë këtë, që tek procedurat e dyfishta të parlamentit me një dhomë, parlamenti me dy dhoma, që është preferenca ime, me të njëjtin numër, pa shtuar barrën fiskale. Po që qeveria të këtë dy pengesa për të kaluar, që të mos kalojë ligje brenda natës për të zhvatur xhepat e shqiptarëve, për të pasuruar oligarkët. Kufizim të termave Blendi, nuk ka pse Shqipëria të ketë një kryeministër për më shumë se 8 vite.

Blendi Fevziu: Jeni të gatshëm ta propozoni këtë?

Lulzim Basha: Absolutisht, jam i vendosur ta propozoj dhe nëse në parlamentin e ardhshëm nuk do të kem vota për ta kaluar këtë si kryeministër, do t’i drejtohem popullit me referendum që kurrë më Shqipëria të mos ketë një kryeministër për më shumë se 8 vite. Kurrë më kryeministri të mos ketë më shumë se 2 mandate.

Blendi Fevziu: Por se ka asnjë vend në Europë.

Lulzim Basha: Asnjë vend nuk ka pasur këto rekorde të zeza. Kur shoqëria shqiptare të ketë mundësinë të zhvillohet si shoqëritë e tjera, atëherë mund ta heqim këtë kufizim. Sot jam i vendosur ta vendosim këtë kufizim. /tvklan.al



Të ngjashme