Akuzat në adresë të Kryeministrit Edi Rama për vënie të shtetit në shërbim të krimit, Lulzim Basha i vijoi edhe në Vaun e Dejës, ku u takua me të rinj dhe mbështetës të Partisë Demokratike.

“Sot jemi para një katastrofe më të madhe: shteti i është dorëzuar totalisht krimit të organizuar. Me Edi Ramën krimi i organizuar ia ka dalë të realizojë atë që s’e ka realizuar në asnjë vend të Europës. Shqipëria është sot në gjendjen e një grushti shteti. Nuk ka një Gjykatë Kushtetuese që është mbrojtësja e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.”

Ndaj dhe kusht i panegociueshëm i opozitës mbeten dekriminalizimi i zgjedhjeve dhe vettingu në politikë.

“Nuk ka për të pasur zgjidhje për këtë vend pa larguar krimin nga politika. Dhe që të largojmë krimin nga politika duhet të largojmë politikanët e lidhur me krimin. Pse të pranojmë ne që gjyqtarët, prokurorët, policët dhe gardistët t’i nënshtrohen vettingut dhe të largohen nga detyra me të drejtë, në qoftë se provohet se kanë lidhje kriminale dhe politikanët të mbeten jashtë dhe sipër ligjit? Cili popull pranon që të ketë politikanë që hanë, pinë, bëjnë pazare, bëjnë pushime, shesin e blejnë apartamente, vetura, gjithçka, me kriminelët e dënuar për drogë dhe pastaj marrin vendime sesa do të jenë taksat, sa do të jetë çmimi i naftës dhe çfarë do të bëjnë me pagat e shqiptarëve. Vettingu i politikanëve do të bëhet.”

Sipas Bashës përmes vetting-ut dhe paketës antimafia të propozuar nga opozita politika do t’i shërbejë vetëm qytetarëve.

Tv Klan