“Rama dështoi në 8 vjet, nuk ka vend në qeverinë tonë”

Kjo ishte pritja që iu bë Lulzim Bashës pak para mesnates në Tropojë, në përfundim të turit një ditor të tij në te gjithë Shqipërinë.

Basha e nisi rrugëtimin e tij simbolik nga Saranda me 9 ndalesa gjatë rrugëtimit që janë njëherësh numri i Partisë Demokratike në fletën e votimit. Ftesës së Kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim i ktheu të njëjtën përgjigje refuzuese.

“Edhe Edi Rama e ndjen etjen e shqiptarëve për ndryshim. Edhe ai e ka mësuar se me 25 prill ai do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë. Ndaj tani kërkon të bëhet pjesë e qeverisë tonë. Përgjigja jonë është jo, koha jote ka mbaruar, tetë vite me radhë nuk bëre asgjë për shqiptarët”.

Për të treguar vendosmërinë e vendimit të tij, përgjigjen e përsëriti edhe në Delvinë.

Përgjigjja ime nga Delvina, njësoj si nga Saranda është jo! Nuk ka për të ndodhur, koha e Edi Ramës ka mbaruar”!

Kërkoi nga shqiptarët që të mos i japin një tjetër shans dështimeve me të cilat sipas tij u përballën në 8 vite.

“Mos ia hapni derën dështimit për herë të tretë. Nuk ka kërcënim më të madh për familjet shqiptare, nuk ka kërcënim më të madh për Shqipërinë sesa edhe 4 vite të tjera si këto 8 vite që e lanë Shqipërinë në vendnumëro”.

Basha tha se qeveria e tij do të t’i sjellë shqiptarëve ndryshimin e shumëpritur, e për këtë kërkoi edhe votëbesimin e socialiastëve.

“Ju them sot socialistëve ngrijeni kokën bashkohuni me ne vëllezër dhe motra, një popull, një komb, bëhuni pjesë e ndryshimit ejani votoni për numrin 9, ta ndryshojmë Shqipërinë”.

Nga ndalesa e tretë në Tepelenë, Basha premtoi se do ta mbrojë Lumin Vjosa nga shkatërrimi dhe do të ndalojë emigracionin.

“Programi ynë, plani ynë i punës do të bëjë të mundur zhvillimin ekonomik, punësimin, pagat, mbështetjen e fermerit shqiptar, që të jetë edhe ai kryelartë dhe po kaq i mëkëmbur nga ana financiare dhe ekonomike sa vëllezërit e tyre në Kosovë”.

Në veçanti ju drejtua minatorëve ku ju premtoi miratimin e statusit.

“Brenda 6 muajve të parë statusi i minatorit, statusi i atyre që kanë kaluar jetën e tyre nën tokë, përfshirë afro 14 mijë pensionistë minatorë do të negociohet dhe do të miratohet nga qeveria e ndryshimit që do të votoni me 25 Prill”.

Ndërsa nga Kruja dhe Kurbin, ku pati ndalesat e radhës, Basha tha se e gjithë Shqiperia do të çlirohet nga 8 vjet dështime. Basha premtoi rritje të ekonomisë të të gjithë shqiptarëve dhe lehtësi për biznesin.

Tv Klan