Frika e shpërthimit të një konflikti të madh ushtarak në Europë, prej përshkallëzimit të luftës ruse në Ukrainë, detyroi presidentin francez Emanuel Makron t’i bëjë Bashkimit Europian një shkundje për zgjim.

Në një fjalim në universitetin e Sorbonës në Paris, Makron kërkoi që Europa të mos trajtohet më si “vasale” e Shteteve të Bashkuara.

“Europa duhet të tregojë se nuk është vasale e Shteteve të Bashkaura dhe di si t’u drejtohet gjithë rajoneve të tjerë të botës“.

Theksoi edhe një herë projektin e tij për një Europë të më të përbashkuar dhe sovrane.

“Si mund ta ndërtojmë sovranitetin tonë pa marrë përgjegjësinë për zhvillimin e një industrie mbrojtëse europiane“.

Shefi i Elizesë kërkon edhe mbrojtjen e interesave tregtare të Europës.

“Nuk shkon më që ne të jemi të vetmit që respektojmë rregullat e tregtisë të shkruara para 15 vitesh, ndërsa SHBA dhe Kina t’i shkelin duke subvencionuar sektorët kritikë“.

Ky zë i ngritur nga Makron, që më parë ka kërkuar edhe dërgimin e trupave ushtarake europiane në Ukrainë, vjen pak para zgjedhjeve europarlamentare, ku sondazhet tregojnë se partia e tij po rrokulliset në vend të tretë në renditjen e mbështetjes popullore në Francë.

Tv Klan