Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se është urgjente blerja e menjëhershme e një sasie të mjaftueshme tamponësh për të kryer testet që saktësojnë nëse je bartës apo jo i COVID-19. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shprehet se shumë qytetarë kanë shprehur shqetësim mbi mungesën e tamponëve.

“Sa më shpejt të identifikohen të prekurit, aq më shpejt mundësohet izolimi dhe trajtimi i tyre duke minimizuar përhapjen e mëtejshme të virusit. Çdo vonesë në sigurimin e një numri më të madh tamponësh testimi do të na kushtojë shumë”.

Përveç tamponëve, kreu i opozitës thotë se duhen krijuar ambiente të posaçme trajtimi për personat e prekur me COVID-19 edhe në qytetet e tjera të vendit

“Të prekurit nga virusi nuk kanë pse të përplasen të gjithë në Tiranë kur mund tu krijohet mundësia të trajtohen në ambiente të ngritura në qendrat e qarqeve. Neglizhenca në marrjen e masave të menjëhershme për shtimin e pajisjeve dhe rritjen e kapaciteteve të ambienteve spitalore dedikuar trajtimit të personave me COVID 19 mund të ketë pasoja shumë të rënda”.

Një tjetër thirrje shkon drejt qeverisë për familjet e varfra dhe në ndihmë ekonomike. Sipas Bashës qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar qytetarët e izoluar dhe bizneset.

“Të dashur bashkëqytetarë, kjo është një kohë sakrificash që gjithsecili prej nesh duhet ti bëjë për shëndetin e tij dhe të familjes. Prandaj është e rëndësishme të ndiqni me përpikmëri këshillat e mjekëve. Mos neglizhoni asnjë shqetësim që mund të keni dhe tregojini ato me vërtetësi përfshirë dhe historikun tuaj të udhëtimeve apo kontakteve që keni patur. Në këtë mënyrë e bëni më të lehtë trajtimin tuaj si dhe mbroni stafet mjekësore dhe qytetarët e tjerë”.

Sipas kreut të demokratëve në këtë situatë është shumë e rëndësishme transparenca.

“Është e qartë për të gjithë tashmë se kjo krizë përballohet me veprime konkrete dhe hapa të vendosur dhe jo me gjysmë të vërteta apo akoma më keq, me propagandë”./tvklan.al