Bashkimi Shqipëri-Kosovë, Osmani: Alternativë që nuk ekziston

Bashkimi Shqipëri-Kosovë, Osmani: Alternativë që nuk ekziston

23:01 13/11/2019

Emisioni “Opinion” është zhvendosur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Kosovë, atje ku gazetari Blendi Fevziu realizoi një intervistë me kandidaten për Kryeministre të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani. Teksa negociatat për krijimin e qeverisë së re me Lëvizjen Vetëvendosje vijojnë, Osmani thotë se në qendër të programit të LDK, Republika e Kosovës është projekt i përhershëm. Në këtë kontekst ajo shprehet se për momentin, ideja e një bashkimi të mundshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës është një alternativë që nuk ekziston.

Cilat janë parimet qeverisëse që LDK nuk çedon dhe nuk lëshon? Mbi çfarë parimesh mbështetet ajo në këtë koalicion?

Për ne në qendër të programit tonë është kosovocentrizmi, që nënkupton se Republika e Kosovës për ne është projekt i përhershëm, nuk është diçka e përkohshme që e shohim si hap që duhet ta kalojmë për të arritur diçka tjetër.

Vetëvendosja e ka krejtësisht të kundërt këtë, e sheh si një hallkë për të shkuar drejt BE.

Mund ta shohin si të tillë, mirëpo ne këtu nuk pajtohemi dhe besoj që është e qartë edhe për zotin Kurtin që për ne kjo është një çështje shumë esenciale. Sepse mbi 13 mijë viktimat civile që kemi pasur në Kosovë dhe gjithë ai shkatërrim që ka ndodhur në luftën e fundit ka ndodhur pikërisht për shkak të projektit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ky është një projekt që asesi nuk heqim dorë.

Përtej këtij projekti që prej vitit 1912 dhe deri në 1999, ose 91-92 kur dolën, ka qenë një tjetër projekt që e kanë mbështetur të gjithë patriotët shqiptarë dhe të gjithë figurat e rëndësishme historike shqiptare, që ka qenë ai i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Që do të thotë është një projekt i vdekur tani?

Nuk po them atë, ajo çka po them është që sot është vullnet i qartë i qytetarëve të Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Është vullnet që është shprehur në referendumin të viteve 90, në mbi 90 përqind të qytetarëve të Kosovës që kanë votuar pro referendumit për Republikën e Kosovës. Ka qenë vullnet i qartë i shprehur në datën 17 Shkurt, i cili është vulosur më pas në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare te Drejtësisë. Edhe sot nëse ne i pyesim qytetarët e Kosovës, unë jam e bindur që ata akoma në shumicë të madhe besojnë në këtë vullnet.

Ama nuk ka ndonjë pyetje nëse qytetarët e Kosovës do donin të bashkoheshin me qytetarët e Shqipërisë apo jo. Sepse një pyetje e tillë mund ta anashkalonte dhe mund ta përmbyste pyetjen e parë. Sepse normal kur i kërkon qytetarëve të Kosovës të jetojnë shtet me vete dhe jo me Serbinë siç ishte referendumi i 92-it është krejtësisht normale.

Ju keni qenë në Kosovë më 17 Shkurt 2008, më kujtohet sepse unë atëherë kam qenë shefe e stafit e presidentit të vendit dhe entuziazmin që keni parë në rrugët e Kosovës, në çdo shtëpi në Kosovë, për 17 Shkurtin, për pavarësinë e Kosovës besoj se do t’ia hiqte mëdyshjen çdokujt se qytetarët e Kosovës po vendosin pro pavarësisë vetëm se nuk kanë alternativë tjetër. Në fakt nuk ka qenë vendim sepse nuk kanë alternativë tjetër, por ka qenë vendim që e kanë zgjedhur vetë, për të cilin kanë sakrifikuar për vite me radhë.

Bashkimin e Shqipërisë me Kosovën e shihni si një alternativë që nuk ekziston?

Për momentin e shoh nuk e shoh një alternativë e cila mund të bëhet, e para.

Përse?

Për shumë arsye, që mbi të gjitha kanë të bëjnë me prospektin e integrimit të dy shteteve në BE. E dyta për shkak se për ne si LDK, Republika e Kosovës është projekt i përhershëm dhe e treta, sepse unë i shoh të dyja shtetet si të suksesshme në komunitetin ndërkombëtar, në komunitetin e kombeve të lira. Pra nuk e përjashton njëra tjetrën.

Ju flisni për kosovocentrizëm, ndërsa LVV flet për një bashkim kombëtar.

Unë po e shoh që ka një moderim të gjuhës apo të ideve që Vetëvendosje ka në raport me këtë temë./tvklan.al




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi