Këta djem duan të zhvillojnë stërvitjen e radhës në përgatitjet e tyre për paraeliminatoret e botërorit të basketbollit, por salla “Feti Borova” është e mbyllur. Nuk ka një përgjigje zyrtare dhe për këtë shkak Gerti Shima një nga lojtarët kryesorë të kuqezinjve të koshit e kalon me një postim në Facebook, ku shkruan; A e ka njeri çelësin e sallës?

Gerti Shima (Basketbollist i Kombëtares)

U kthye në tone humori por ky është realiteti i sportit shqiptar. Mos të arrish të bësh një stërvitje normale, në kushtet më minimale, pasi  temperatura është mbi 45 gradë këtu në sallë.

Stërvitja u transferua në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, me shpresën që ndeshjet zyrtare muajin e ardhshëm do të zhvillohen në sallën “Feti Borova”, pjesë e parkut olimpik. Trajneri Antonis Constantinides e shikon çështjen e fushës së stërvitjes, një problem që duhet të zgjidhet.

Antonis Constantinides (Trajner i Kombëtares së Basketbollit)

Ndoshta është problemi i vetëm që kemi në përgatitet që po bëjmë. Ne jemi stërvitur vetëm një herë në sallën e re gjatë këtyre ditëve. Po të përgatitemi vetëm 2 ditë para ndeshjes aty do të jetë sikur të luajmë jashtë dhe jo në fushën tonë. Unë uroj që kjo gjë të zgjidhet sa më shpejt.

Kombëtarja e basketbollit të meshkujve është pjesë e të njëjtit grup me Austrinë dhe Hollandën në paraeliminatoret e botërorit 2019.

Tv Klan