Flick: Mentaliteti i ekipit ishte i jashtëzakonshëm

Bayern Munchen fitoi sërish dhe me meritë. Skuadra kampione e Champions League mori edhe Superkupën e Europës pas suksesit 2 – 1 me Sevilla në Budapest. Një ndeshje e vendosur pas 120 minutash lojë dhe përcaktues ishte një zëvendësues, Javi Martinez, i aktivizuar në pjesët shtesë. Për trajnerin e ekipin gjerman, Hansi Flick duhet vlerësuar mentaliteti i futbollistëve.

“E dinim që nuk do të ishte e lehtë. Por mentaliteti i ekipit veçanërisht kur ishim në disavantazh ishte i jashtëzakonshëm. U përballëm me një kundërshtar të fortë dhe e merituam fitoren”, tha ai.

Për Julen Lopetegui e Sevilla-s, i cili gjithsesi ia doli muajin e kaluar në Europa League, kjo humbje lëndon.

“Të humbasësh të lëndon gjithmonë, mbi të gjitha kur është një finale dhe kur kishim disa mundësi për të fituar. Skuadra të tilla të çojë drejt limit dhe në shkuam. Ne vuajtëm”, tha ai.

Bayern Munchen ngriti për herë të dytë në historinë e klubit Superkupën e Europës pas asaj të vitit 2013. Për Sevilla që ka triumfuar vetëm në 2006 është finalja e pestë e humbur, më shumë se çdo ekip tjetër.

Tv Klan