Studio e arkitektëve amerikanë Steven Hall është fituesja e konkursit ndërkombëtar për projektin “Expo Albania”. E përzgjedhur mes 60 konkurrentëve në garë, kjo studio me prestigj ndërkombëtar në botën e arkitekturës bashkëkohore do të realizojë qendrën multifunkionale për panaire që do të ngrihet në zonën e Farkës në Tiranë, një zonë ushtarake dikur, që përdorej si fushë stërvitjeje pranë bazës ajrore të Forcave të Armatosura.

Projekti fitues është ideuar me një formë të çrregullt për t’u shkrirë më mirë me natyrën përreth ndërsa në brendësi do të ketë hapësira të ndara për panaire, nga ato për verën dhe agro-ushqimin deri tek automjetet, Inteligjenca Artificiale dhe koncertet për rininë.     

Kryeministri Rama, i cili ishte pjesë e jurisë tha se kjo qendër do të shërbejë jo vetëm për panaire, por edhe për zhvillimin e evenimenteve ndërkombëtare.

“Për ne ky është vërtetë një moment mjaft i mirëseardhur për të ngritur këtë qendër ekspozimi ku mund të ndodhin të gjitha ato organizime që mund të zhvillohen vetëm në këtë lloj hapësire, në këtë lloj vendi. Natyrisht, vjen në momentin e duhur sepse disa vjet më parë do të kishte qenë shumë e parakohshme të investoje masivisht në këtë lloj infrastrukture, por tashmë kjo është saktësisht një nga ato shumë gjëra për të cilat Shqipëria ka nevojë në mënyrë që të ecë përpara dhe të rrisë stekën e ambicies së saj.”

Krahas fitueses Steven Hall, në fazën finale projektet e tyre për Expo Albania i prezantuan dhe 4 studio prestigjioze, mes të cilave ajo amerikane Jeanne Gang, studio gjermane Kuehn(kyn) Malvezzi, skuadra belge e Office KGDV dhe studio italiane e Stefano Boerit.

Tv Klan