Mesnatën e së dielës skadon afati për kreun e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, për formimin e koalicionit të ri qeveritar, i cili më pas do të votohej në Kuvend nga shumica e re parlamentare. Nëse do të ketë një qeveri të udhëhequr nga Gruevski, varet nga Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti, i cili tani dy ditë po diskuton në Tetovë me kryesinë partiake, nëse do të hyjë në koalicion me VMRO-në apo do të ndryshojë kursin e veprimit politik.

BDI-ja paraprakisht ka vendosur disa vija të kuqe, për të cilat thotë se nuk mund të ketë negociata, si për çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, mandatin e Prokurorisë Speciale dhe vazhdimin e kursit euroatlantik të Maqedonisë.

Por, pavarësisht kësaj, një pjesë e kryesisë së BDI-në, tre nga katër nënkryetarët e saj, si dhe zyrtarë tjerë janë deklaruar kundër koalicionit me partinë e Gruevskit. Kjo, për shkak të problemeve që BDI-ja kishte në të kaluarën për realizimin e programit të saj, por edhe për shkak të retorikës së ashpër që ka përdorur Gruevski kundër gjuhës shqipe dhe Prokurorisë Speciale, e cila po heton dhjetëra zyrtarë, përfshirë edhe vetë Gruevskin për shpërdorim të detyrës zyrtare.

“Po analizohen të gjitha opsionet për një vendim sa më të mirë për shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Pra, janë duke u diskutuar të gjitha opsionet

”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Partia e Ahmetit paraprakisht ka përmendur pesë opsione të mundshme, formimin e qeverisë me VMRO-në ose me LSDM-në e Zoran Zaevit, formimin e një qeverie të zgjeruar, zgjedhjet e reja parlamentare, apo kalimin e BDI-së në opozitë.

Në këtë kuadër, një nga nënkryetarët e kësaj partie, Nevzat Bejta, të shtunën në mbrëmje është takuar me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev për të sqaruar pozicionin e saj lidhur me pikat e BDI-së, që janë edhe pjesë e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare. Detaje nga ky takim nuk janë dhënë. Zaev disa herë ka deklaruar se për këto çështje do të prononcohet pasi t’i ketë përfunduar mandati Gruevskit për formimin e qeverisë.

Por, çështja e mandatit ka ngritur debate të shumta në opinion, që nga vlerësimet se presidenti Gjorgje Ivanov ka shkelur kushtetutën e deri te varianti që ai sërish të taktizojë me mundësinë që mos ta mandatojë Zaevin e LSDM-së, për nisjen e bisedimeve për qeverinë në rast të dështimit të Gruevskit.

Ekspertët e çështjeve juridike thonë se presidenti nuk duhej t’i jepte mandatin Gruevskit për nisjen e bisedimeve pasi partia e tij nuk e ka shumicën në Kuvend, ashtu siç kërkon Kushtetuta, e cila parasheh dhënien e mandatit asaj partie apo koalicioni, që paraprakisht e njofton Presidentin se ka shumicën e nevojshme në Kuvend.

“Kushtetuta e Maqedonisë në rastin e formimit të qeverisë dhe besimin e mandatit nga ana e presidentit, nuk flet për parti apo koalicion që ka më shumë deputetë, por për parti ose koalicion që ka shumicë parlamentare, që nënkupton 61 deputetë”.

“Kur do të ekzistonte një shumicë e tillë parlamentare, gjërat do të ishin shumë të qarta dhe presidenti nuk do të ketë hapësirë për të bërë interpretime të ndryshme të Kushtetutës, interpretime të njëanshme gjë që e bën tani pasi atëherë do t’i ketë duart e lidhura dhe do të jetë i detyruar t’ia besojë mandatin partisë apo koalicionit që ka shumicë parlamentare

”, thotë Bekim Kadriu, ekspert i çështjeve juridike dhe profesor në Universitetin e Tetovës.

Për formimin e qeverisë së re, partisë së Gruevskit, që ka 51 deputetë i duhen edhe 10 deputetë, të cilët i ka BDI-ja e Ahmetit. Në rast se këtë nuk e arrin, atëherë ajo duhet ta kthejë mandatin apo të kërkojë 10 votat e partive tjera opozitare shqiptare, Lëvizjes Besa që ka fituar pesë deputetë. Aleancës për Shqiptarët, me tre dhe PDSH-së me dy deputetë. Por, një variant i tillë duke i pamundur, duke marrë parasysh pozicionet e forta, në veçanti Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët kundër politikave të Gruevskit.

Partitë opozitare shqiptare deri tani kanë heshtur lidhur me bisedimet mes VMRO-së dhe BDI-së, por në vazhdimësi kanë përsëritur qëndrimin se partia që futet në qeveri duhet t’i qëndrojë besnike deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, e cila parasheh një sërë çështjesh që edhe 15 vjet nga Marrëveshja e Ohrit ende nuk janë zgjidhur, si çështja e gjuhës shqipe, e simboleve kombëtare, barazinë ekonomike, vendimmarrjes konsensuale, përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, e çështje tjera. /tvklan.al

Burimi: REL