Universiteti Columbia ka nisur të pezullojë studentët e përfshirë në protestat pro-palestineze në kampus pasi ata kundërshtuan afatin kohor për t’u shpërndarë. Drejtuesit e kolegjit paralajmëruan më herët masa disiplinore për ata që nuk zbatojnë rregullat. Por dhjetëra studentë u mblodhën në vend duke kundërshtuar urdhrin.

Në Teksas, policia arrestoi dhjetëra protestues dhe “çmontoi” kampin e tyre në Universitetin e Austin.

Dhjetëra protestues “pushtuan” një ndërtesë në Universitetin Columbia në New York duke shkatërruar barrikadat e vendosura aty dhe duke mbajtur në duar flamuj palestinez. Pamjet tregojnë protestuesit në kampusin Manhattan të Columbia-s duke u përleshur me oficerët e sigurisë.

Në Universitetin e Teksasit, të paktën 40 demonstrues u arrestuan.

Zyrtarët thanë se protestuesit kishin injoruar udhëzimet për të hequr tendat e tyre. “Ajo që vazhdon të ndodhë në Columbia është një turp. Kampusi po pushtohet nga studentë dhe pedagogë anti-semitë”, shkroi Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson në “X”. Disa republikanë bënë sërish thirrje që drejtuesja e universitetit, Nemat Shafik, të japë dorëheqjen.

Një grup demokratësh të Dhomës së Përfaqësuesve i kërkuan bordit të Universitetit të Columbia-s të jepte dorëheqjen nëse nuk vepronte me vendosmëri dhe të shpërndante kampin. Nga ana tjetër dhjetëra grupe të të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara kanë shprehur solidaritet me studentët e universitetit që protestojnë kundër mbështetjes së SHBA për Izraelin në mes të luftës në Gaza.

Kampuset në disa kolegje amerikane janë bërë pika qendrore e debatit të vendit mbi luftën në Gaza dhe mbështetjen e SHBA-së për Izraelin, si dhe frikën se antisemitizmi po i vë në rrezik studentët hebrenj. Më 18 prill, policia bastisi një kamp pro-palestinez në qendër të kampusit dhe arrestoi më shumë se 100 studentë. Por aktivistët dyfishuan përpjekjet e tyre, duke u rigrupuar në një kamp tjetër dhe duke nxitur mësimin në platforma online. Demostratat janë shtrirë edhe në Kanada dhe Evropë, teksa studentët bëjnë thirrje për t’i dhënë fund luftës.

Klan News