Berisha thotë se vendimin për ta përjashtuar nga grupi parlamentar i PD, Lulzim Basha e bëri për arsye personale. Në Zonë e Lirë, ish-Kryeministri tha se nuk kishte dijeni nëse Basha ishte “non grata” në SHBA, por theksoi se ai nuk shkon në këtë vend prej disa vitesh.

Arjan Çani: Lul Basha tha sot një gjë të re që nuk e tha dje, tha: “Mua amerikanët më kanë dhënë detaje të tjera të cilat nuk i ndaj me publikun dhe prandaj e mora i detyruar këtë vendim për zotin Berisha, për të mirën e tij dhe të familjes së tij. Tani, kjo do të thotë që amerikanët do i kenë dhënë detaje që ne publiku nuk i dimë.

Sali Berisha: Do të thotë që gjithçka ka bërë vetëm për veten e tij.

Arjan Çani: Mund të mos e bënte?

Sali Berisha: Gjithçka ka bërë vetëm në interesin e tij personal. Ka disa vite që nuk shkon në SHBA.

Arjan Curi: Pra, insinuoni që dhe ai është në listën e zezë?

Sali Berisha: Unë nuk e thashë këtë. Por ai ka disa vite që nuk shkon, ka udhëtime të anuluara.

Arjan Çani: Këtë e ka thënë edhe Edith Harxhi, që ka katër vjet që nuk shkon dot.

Arjan Curi: Atëherë, mos është bërë një premtim që do të lejohet të shkojë në SHBA nëse ju heq juve nga PD?

Sali Berisha: Unë di këtë: Që ai me mua ka bërë një bisedë tre ditë përpara, ku më thotë se “Si do ia bëjmë se na del problemi i atij ligjit”. “Cilit ligj?”, i them unë? “Ligji i dekriminalizimit”, i them unë “Nuk ka asnjë lidhje”, sepse dekriminalizimi po ta lexoni, është për gjëra konkrete, kurse ky është në përgjithësi dhe ti s’mund të dënosh njeri pa prova e fakte. Në qoftë se e bën këtë, transferon sovranitetin në një vend tjetër.

Arjan Curi: Pse ka qenë ndonjëherë PD sovrane?

Sali Berisha: Absolutisht, PD që kam drejtuar unë ka qenë vetëm sovrane.

Arjan Curi: Edhe në kohën tuaj ka bërë përjashtim.

Sali Berisha: Tani që më thua këtë, unë mendoj që kurrë nuk ka bërë , nuk ka marrë masa pse ka thënë ky apo ai dhe kam patur marrëdhëniet më të shkëlqyera dhe sovraniteti ka qenë sovranitet. Unë kam patur këtë parim dhe ky parim më ka detyruar rasti t’ia them edhe zyrtarëve më të lartë të botës, dhe unë këtë pa dhënë dorëheqjen nuk e bëj dot. E kam me dëshmitarë, jua kam thënë edhe njëherë këtu./tvklan.al