Një biznesmen britanik mbeti i vrarë gjatë një grabitjeje me armë të ndodhur në hotelin ku kishte shkuar për pushime. 50-vjeçari Matthew Gibbard u qëllua për vdekje paraditen e së dielës, në hotelin luksoz Faena Art Hotel në Buenos Aires të Argjentinës.

I plagosur nga kjo ngjarje e rëndë mbeti edhe thjeshtri i tij, 28-vjeçari Stefan Zone, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Sipas The Sun, Gibbard u qëllua për vdekje në kraharor, në një sulm të ndodhur fare pak kohë pasi kishin mbërritur në Buenos Aires. Dy autorët e kishin ndjekur familjen britanike me motor, pasi kishin fiksuar minibusin e tyre duke u larguar nga Aeroporti Ezeiza.

Autoritetet policore thanë se pasi kishin mbërritur në hotelin me 5 yje, ata u sulmuan nga grabitësit. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11 të paradites. Sipas policisë, autorët të cilët kishin qenë duke qarkulluar në zonë, u ndihmuan edhe nga një automjet.

Gibbard drejtonte firmën e shtëpive të të moshuarve Tingdene. Ai jetonte sëbashku me bashkëshorten e tij në një pronë në Lowick, Northamptonshire.

Hetuesit besojnë se autorët e kishin pikasur familjen në momentin që kishin mbërritur në aeroportin ndërkombëtar dhe i ndoqën për t’i sulmuar në befasi në momentin që zbritën.

Kamerat e sigurisë së hotelit tregojnë momentin kur minibusi ndalon në hyrje dhe një punonjës afrohet për të ndihmuar me bagazhet. Por papritur plumbat nisin të fluturojnë në ajër, ndërkohë që njerëzit mund të shihen që përpiqen të fshihen./tvklan.al