Emisioni “Stop” në Tv Klan ka shkuar në lagjen “Pavarësia” në Vlorë për problemin e Muharrem Memajt, i cili që në vitin 2018 ka bërë kontratë për një apartament në firmën “Klevis construksion 2007”. Muharremi thotë se e ka likuiduar pagesën e apartamentit, por nuk po merr çelësat. Ai bashkë me të shoqen rrinë në apartament me qira, pasi ortakët e firmës kanë konflikt.

Administratori i “Klevis konstruksion 2007”, Astrit Alushi, shpjegon se apartamenti i zotërisë ndodhet në katin ku punimet janë bërë nga “Duka konstruksion” që i mban të bllokuar dhe çështja është në gjykatë. Opsionin për ndërrim apartamenti zoti Memaj nuk e pranon, ndaj situata ka mbetur pa zgjidhje.

Administratori Astrit Alushi: Ne jemi 2 firma, që bashkëpunojmë aty. Kemi patur një kontradiktë me firmën tjetër dhe jemi në gjykatë. Aty ku ka marrë ky zotëria, 4 kate i ka bërë firma Duka, 4 kate i kam bërë unë. Kur i kemi ndarë hyrjet sipas planimetrisë te noteria, disa hyrje të atij kanë rënë tek mua, disa hyrje të miat kanë rënë tek ai. Për fat të keq është dhe hyrja e zotërisë ka rënë te 4 katet, që ka bërë ai, firma Duka.

Gazetarja: Po për çfarë arsyeje tani penalizohet qytetari në qoftë se ju keni mosmarrëveshje me njëri-tjetrin?

Administratori Astrit Alushi: Po pikërisht këtë duam të zgjidhim ne tani. Ky zotëria thotë hyrjen këtu dhe nuk luaj, se po ta ndërronte me hyrje tjetër, nuk bëhej fjalë fare, brenda javës futet brenda. Janë 15 hyrje të miat atje, siç janë dhe hyrjet e atij tek mua.

“Stop” kërkoi edhe një shpjegim nga “Duka konstruksion”, aksioneri i të cilit doli me pretendimin, se firma “Klevis Konstruksion” ka dalë nga leja, ndaj nuk bëhet kolaudimi i pallatit.

Gazetarja: Çelësat i keni juve.

Adhurim Duka: Po nuk mund ta posedosh derisa të bëjmë aktin e kolaudimit sepse po t’i ndodhë një gjë asaj zonjës aty, të rrëshqasë, të vritet aty te shkalla edhe pse e ka bërë kontratën me Klevis Konstruksion, përgjegjësinë e mbaj dhe unë.

Gazetarja: E kuptova, ju jeni duke ruajtur qytetarin në këtë rast.

Adhurim Duka: Jo nuk po ruaj qytetarin, po ruaj vetën time. E vetmja mënyrë, që unë të bëj presion, i them, që zotëri kthe objektin sipas lejes së ndërtimit, sepse kanë ardhur 3 grupe me kërkesën time për të bërë aktin e kolaudimit dhe të shfrytëzimit dhe nuk na e bëjnë sepse thonë se ju keni dalë nga leja e ndërtimit në katin e fundit lart./tvklan.al