Qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës që nga kjo e mërkurë do të kalojnë përmes pikave kufitare të përbashkëta me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit, si dhe në fundjava dhe rastet e festave. Deri tani kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes se lire ishte vetëm për 4 muajt e verës. Ndërkohë më 12 prill hyri në fuqi marrëveshja për lëvizjen e lirë në zonat ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës në 26 vendkalime të ndryshme.

Mbi 200 mijë shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 km nga kufiri tokësor që kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare, për arsye sociale, kulturore, familjare etj.

Qytetarët që kanë zgjedhur të udhëtojnë në drejtim të territorit të dy shteteve theksojnë se zbatimi i kësaj marrëveshje lehtëson ndjeshëm kalimet në kufi. Ndërkohë, që në orët e para të ditës pika doganore e Morinës është përballur me një fluks të madh udhëtarësh nga Kosova, të cilët udhëtonin drejt Shqipërisë për të festuar Ditën e 1 Majit, por edhe për të kaluar disa ditë pushimi pranë detit.

Vetëm në orët e para të ditës së sotme, nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri rreth 5 mijë shtetas të Kosovës dhe 3 mijë mjete të vogla e dhjetëra autobusë.

Klan News