SHBA dhe Britania kishin paralajmëruar sulmin, Rusia e cilëson shantazh për të destabilizuar vendin

Sulmi në sallën e koncerteve në Moskë është dënuar në termat më të ashpër nga liderët botërorë.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Lordi David Cameron u shpreh se asgjë nuk mund t’a justifikojë dhunë të tillë të tmerrshme.

Mbretëria e Bashkuar dënon në termat më të ashpër sulmin terrorist vdekjeprurës në Bashkinë Crocus pranë Moskës. Ne ofrojmë ngushëllimet tona të përzemërta”, u shpreh ai.

Gjithashtu edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz u shpreh se sulmi është më i tmerrshmi ndër vitet e fundit në Moskë. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dënoi ashpër sulmin terrorist.

Gjithashtu udhëheqësi kinez Xi Jinping i shprehu ngushëllimet Putinit për sulmin e rëndë terrorist që shkaktoi viktima.

Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu dënoi sulmin. “Franca shpreh solidaritetin e saj me viktimat, të dashurit e tyre dhe gjithë popullin rus”, tha Pallati Elysee. Ndërkaq edhe kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, gjithashtu dënuan në termat më të ashpra sulmin.

Yulia Navalnaya, e veja e liderit të opozitës së Rusisë, Alexei Navalny, në një postim në platformën e mediave sociale X bëri thirrje që “ata që janë të përfshirë në këtë krim duhet të gjenden dhe të mbahen përgjegjës”.

Ndërkaq një paralajmërim për sulm të tillë e bënë SHBA-ja dhe Britania e Madhe të cilat rreth një javë më parë kishin marrë raporte nga inteligjenca se ekstremistët kishin plane të afërta për të kryer sulme terroriste. Përfaqësia diplomatike e Uashingtonit njoftoi për raportime se sulmi do të synonte tubime të mëdha dhe koncerte.

Presidenti rus Vladimir Putin hodhi poshtë paralajmërimet perëndimore për sulme të mundshme terroriste në Rusi si “shantazh” dhe i cilësoi provokim perëndimor.

“E gjithë kjo i ngjan shantazhit të drejtpërdrejtë dhe një synimi për të frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”, u shpreh Putin javën e kaluar në një takim të bordit të Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse

Të shtënat masive në Moskë ndodhën vetëm tri ditë më vonë. Nga ana tjetër Rusia fajëson Ukrainën për sulmin terrorist. Agjencia e sigurisë lëshoi një deklaratë duke thënë se ka kapur terroristët në Bryansk afër kufirit me Ukrainën.

Shërbimi Federal të Sigurisë Ruse pretendon se ata po largoheshin në Ukrainë dhe kishin kontaktet përkatëse atje. Inteligjenca ushtarake e Ukrainës (HUR) i quajti akuzat një provokim të qëllimshëm nga shërbimet speciale të Putinit.

Klan News