Një turiste gjermane ka rënë nga vendi i quajtur “Ura e Stërmbecit” në zonën e Çarçovës në Përmet. Sipas policisë, 47 vjeçarja ka marrë dëmtime serioze në kokë dhe pjesë të trupit. Mësohet se fillimisht ajo u transportua në spitalin e Përmetit, por për shkak të gjendjes kritike u nis me helikopter drejt “Traumës” në Tiranë.

Siç thuhet në njoftimin zyrtar të bluve, gruaja bashkë me turistë të tjerë po vizitonte kurorën e gjelbër në Çarçovë dhe teksa fotografonte ka humbur ekuilibrin.

“Në fshatin Çarshovë, në vendin e quajtur “Ura e Stermbecit”, një grup turistësh gjermanë po eksploronin me këmbë, zonat turistike, të shoqëruar nga shtetasi M. B., 40 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasja gjermane S. M., 47 vjeçe, duke bërë fotografi ka humbur ekulibrin, është rrëzuar dhe për pasojë ka marrë dëmtime fizike. Menjëherë 47-vjeçares i është dhënë ndihma e parë mjekësore, nga ekipi i urgjencës së spitalit të Përmetit dhe shërbimeve të Policisë. Shtetasja S. M., si pasojë e plagëve të marra, është transportuar me helikopter në drejtim të Spitalit të Traumës, për mjekim më të specializuar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, mësohet nga Policia.

./tvklan.al