Brazili dhe Belgjika do të përballen në sfidën çerekfinale të botërorit që do të luhet më 6 Korrik në Kazan.

Përfaqësuesja belge u kualifikua pas fitores dramatike 3 – 2 me Japoninë, falë golit të shënuar në sekondat e fundit të sfidës së zhvilluar të hënën në Rostov.

Japonezët shënuan 2 gola të jashtëzakonshëm me Haraguchi dhe Inui në fillimin e pjesës së dytë. Një avantazh që krijoi iluzion se mund të arrihej objektivi. Por belgët me kalimin e minutave fituan besim duke përmbysur rezultatin.

Vertonghen, Fellaini dhe Chadli ishin heronjtë e Belgjikës që i shpëtoi eliminimit nga botërori. Brazili kaloi në çerekfinalet e botërorit pas fitores 2 – 0 me Meksikën në Samara.

Ochoa u dorëzua para Neymar në minutën e 51’ dhe pak para fundit sulmuesi i Paris Saint Germain dha një pasim të saktë për Firmino që realizoi golin e sigurisë. Me këto gola Brazili shkon në kuotën e 228 në fazën finale, duke vendosur një rekord. Seleçao synon titullin e gjashtë të kampionit të botës.

Tv Klan