I infiltruari i SHCBA-se zbuloi grupin që shpërndante në Tiranë kokainë 80% të pastër

Ish-efektivi i RENEA-s Rael Luli i cili konsiderohet si drejtues i një grupi të shpërndarjes së drogës në Tiranë do të qëndrojë në qeli pas vendimit të gjykatës. Para togave të zeza ai ka pranuar përgjegjësinë e kokainës së kapur, ndërsa nuk ka pranuar të tregojë personat që ka bashkëpunuar.

Gjykata e Tiranës ka lënë në arrest me burg ish-efektivin e RENEA-s, Real Luli, dhe dy të arrestuarit e tjerë, Gevi Spahia e Jurgen Luli, të akuzuar për shpërndarje të kokainës në disa zona të Tiranës. Sipas burimeve, Luli ka pranuar përgjegjësinë për lëndën narkotike që i është gjetur gjatë kontrolleve nga policia.

Gjatë seancës për masën e sigurisë ai nuk ka pranuar se ka njohje apo të ketë bashkëpunuar me personat e tjerë të arrestuar. Real Luli po ndiqej nga një efektiv i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, i cili është infiltruar dhe ka blerë madje edhe një sasi kokaine nga Luli, që pas testimit ka rezultuar në masën 80% e pastër.

Efektivi i repartit special të RENEA-s, gjithashtu nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë sa i përket nxjerrjes së emrave me të cilët bashkëpunonte, ku e merrte lëndën narkotike dhe çfarë roli luante. Gjykata ka vendosur të hetohen në gjendje të lirë dhe dy personat e tjerë, Gertjan Harapi e Ergi Sala.

Togat e zeza të kryeqytetit lanë në qeli gjithashtu edhe babë e bir Fatmir dhe Hamdi Sulaj, të cilët u arrestuan pasi kishin improvizuar një ambient për kultivimin e kanabisit në formën e një sere. Në banesën e tyre janë zbuluar 70 rrënjë kanabis, me gjatësi rreth 2 metra, ndërsa pritej që brenda pak ditësh të kryhej vjelja përfundimtare.

Lënda narkotike ishte mbjellë në mes të perimeve të tjera që ishin në serë, si domate, speca e të tjera. Ambienti ishte pajisur me dy llampa ngrohjeje, të cilat sipas dosjes së organit të akuzës kapin vlerën e 10 mijë euro për copë. Gjatë kontrolleve policia gjeti dhe dy armë zjarri automatik dhe municion luftarak të cilat përdoreshin nga autorët për të ruajtur bimën narkotike.

Klan News