Ish-kapiteni i Italisë, ish-kampioni i Botës në vitin 2006, Fabio Kannavaro ka vlerësuar Kombëtaren Shqiptare në prag të kampionatit Europian. Një prej ikonave të futbollit italian shpreh konsideratat e tij per lojtarët e Kombëtares kuqezi.

“Nga kjo përfaqësuese shqiptare më pëlqejnë disa, sepse keni shumë lojtarë që luajnë në Itali, janë dy qendërmbrojtësit shumë të mirë, por të gjithë e njohin kampionatin italian dhe po dalin në pah e po bëjnë një figurë shumë të mirë. Kombëtarja juaj ka lojtarë që luajnë të gjithë jashtë, kanë përvojë ndërkombëtare dhe shumë prej tyre luajnë në kampionatin italian dhe në fazën finale të një turneu të tillë nuk të bën askush dhurata”.

Italia do të ketë ndeshjen e parë të Euro 2024 me Shqipërinë dhe kjo sfidë merr një vlerë të vecantë.

“Unë mendoj që ndeshja e parë e një Botërori apo e një Evropiani është gjithmonë ajo më e ndërlikuara, sepse vihet nga një periudhë pune, skuadrat nuk dihen sesi janë dhe sigurisht që të luash ndaj një skuadre si e Shqipërisë nuk është e lehtë, sepse është një skuadër e re në moshë, e fortë, me një trajner të përgatitur dhe sigurisht për Italinë do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë”.

Fabio Cannavaro ishte i ftuari i Federatës Shqiptare të Futbollit, në një leksion të hapur në kursin e trajnerëve.

Tv Klan