Plazhet më të mira shqiptare gjenden në rivierën shqiptare. Revista amerikane “Central Recorder” me qendër në Kaliforni ka përzgjedhur plazhet më të mira dhe xhevahiret e fshehura të rivierës shqiptare.

Duke u nisur nga pjesa veriore e rivierës, Vlora është një pikënisje e mirë për vizitorët përpara se të nisin udhëtimin e tyre. Duke lëvizur drejt jugut, Ksamili, i vendosur pranë kufirit me Greqinë, ofron ujëra bruz që të lënë pa frymë dhe që të kujtojnë Bora Borën ose Maldivet.

Megjithatë, riviera shqiptare nuk ka të bëjë vetëm me këto pika ikonike pasi ka edhe shumë plazhe të tjera që presin të eksplorohen.

Plazhi i Gjipesë shpesh përshkruhet si një perlë e fshehur me ujëra të kristalta dhe një vend i përsosur për not. Plazhi i Dhërmiut mund të mos ketë rërë të butë, pasi është i mbuluar me guralecë, por ofron një eksperiencë unike me formacionet e tij madhështore shkëmbore.

Plazhi i Pasqyrës është një vend i pacënuar me ujëra të thellë blu. Plazhi Pulëbardha, një plazh i bukur me guralecë, ofron një det të pastër dhe pamje mahnitëse. Në fund revista amerikane përmend edhe plazhin e Jalës dhe thotë se marrja me qira e një kanoe për një shëtitje në plazhet e largëta është një aktivitet mjaft popullor.

Përveç bukurisë natyrore, pasurisë kulturore edhe kostot e ulta e bëjnë Shqipërinë një destinacion ideal për udhëtarët që kërkojnë një perlë të fshehur në Evropë.

Klan News