Skandali i ish-ministrit Ylli Pango, i cili u shfaq nga “Fiks Fare” duke i kërkuar favore seksuale një vajze të re në shkembim të një vendi pune ka marrë përmasa të mëdha. Pas publikimit të videos emisioni “Opinion” ka trajtuar këtë temë me një panel ku ishin të ftuar Denisa Haxhiaj kryeredaktore e Fiks Fare, Preç Zogaj, Mark Marku, Ardian Klosi, Ylli Manjani, Olta Xhaçka, Monika Kryemadhi, Gent Ibrahimi dhe në lidhje telefonike Ylli Pango.

“Sinjalizime për abuzime nga ish-ministri Pango në “Fiks Fare” kanë ardhur vazhdimisht, por kanë qenë gjithnjë sinjalizime dhe jo konkrete. Një muaj më parë në redaksi vjen një vajzë e diplomuar, e cila kishte shkuar në zyrën e ministrit për një vend pune.  Ministri i kishte kërkuar takim pas orë 17:00 në një institut privat të tij. Në këto momente vajza është tmerruar dhe vjen në zyrat tona duke qarë. Kjo ka qenë fillesa e gjithçkaje. Pasi dëgjuam dëshminë e saj vendosëm të përgjojmë telefonatat”, tha Haxhiaj.

Gjatë emisionit ndërhyri përmes një lidhje telefonike vetë ish-ministri, i cili u shpreh se njihej prej vitesh me vajzën dhe se në transmetim janë nxjerrë materiale të prera dhe të modifikuara.

“Jemi përpara një telenovele jo kaq të thjeshtë sa mendojnë bashkëbiseduesit. Kasetat janë të ndryshuara dhe me pjesë të hequra. Vajza e cila ka ardhur në shtëpinë time dhe pretendohet që është një e panjohur në fakt ka disa vjet që njihemi dhe nga një personazh publik i Top Channal. Ajo është e njohur dhe me të kam dalë edhe në një emision publik. Në bisedën me vajzën janë prerë shumë gjëra dhe janë dhënë në mënyrë shumë të shkurtuara. Vajza më ka ardhur e veshur në mënyrë shumë provokuese dhe para se ta merrja unë më ka marrë ajo në telefon dhe kjo vërtetohet. Ky është një provokacion i pastër, një trysni nga më të poshtrat që kanë bërë ndonjëherë mediat për të fundosur një njeri”, u shpreh Pango në lidhje telefonike./tvklan.al

Të ftuar: Denisa Haxhiaj kryeredaktore e Fiks Fare, Preç Zogaj, Mark Marku, Ardian Klosi, Ylli Manjani, Olta Xhaçka, Monika Kryemadhi, Gent Ibrahimi dhe në lidhje telefonike Ylli Pango.