Këtë të mërkurë parlamenti u mblodh në seancë plenare, ndërsa opozita protestoi jashtë Kuvendit. Protesta u drejtua nga forumet rinore të PD e LSI dhe në të u shfaq edhe Monika Kryemadhi, por jo Lulzim Basha, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Gjermani.

Në foltoren e Kuvendit, Rama tha se opozita doli nga parlamenti, ndërsa tani shtyhet me policët për të hyrë sërish brenda.

Për të treguar se situata politike në vend dhe retorika që e shoqëron nuk ka ndryshuar në më shumë se 20 vjet, “Stop” sjell një intervistë të Jozefina Topallit në Dhjetor 1998. Gjithçka thotë për politikën dhe parlamentin është sikur të ishte intervistë e sotme.

Saimir Kodra: Kalojmë në një qasje tjetër demokracie që kemi ne si popull në të paktën këto 20 vjet, që e kemi të dokumentuar. A e dini si ka ndryshuar gjërat këtu tek ne në këto 20 vjet? Në politikë?

Gentian Zenelaj: Ça ka ndryshuar mo? Asnjë gjë…

Saimir Kodra: Prandaj bëra pyetjen, për të marrë një përgjigje që asgjë nuk ka ndryshuar.

Gentian Zenelaj: Politika shqiptare është si rëra e Shëngjinit, vinte ekskavatori në muajin Prill dhe e kthente, vinte Prilli tjetër dhe e kthente prapë. Dhe shihje një kashtë a një shkop që qarkullonte…

Saimir Kodra: Ndiqeni se çmendon Jozefina Topalli, ish-kryetare e Parlamentit dhe ish-nënkryetare e Partisë Demokratike…Nuk ka ndryshuar asgjë. Atëherë Partia Demokratike doli nga Kuvendi dhe është e njëjta qasje miq të nderuar në 21 vjet.

Jozefina Topalli: Është e vështirë që këtij parlamenti t’i japësh një notë kaluese për faktin se puna e tij më shumë se një punë e mirëfilltë legjislative ka konsistuar në një punë revizionimi dhe çmontimi të atyre ligjeve që ishin bërë me ekspertizën e specialistëve europianë. Kështu mund të përmenden ndryshimet mbi ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, mbi falsifikimin, mbi organizimin e drejtësisë në Shqipëri, aktin antikushtetues të shkarkimit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Puna e Këtij parlamenti për fat të keq konsiston në heqjen e imuniteteve, në një burim konfliktesh që ka çuar në një polarizim të tejskajshëm në politikën shqiptare. Puna e Parlamentit ka konsistuar në shkelje rregulloreje, në reduktim të hapësirave të opozitës, gjë që ka bërë që ky parlament të monitorizohet, gjë që është një fatkeqësi.

Gazetarja: Mendoni se mund të dialogohet përsëri me këtë parlament?

Jozefina Topalli: E vërteta është se pas marrjes së vendimit për ndarje nga parlamenti kemi vetëm një agravim, dhe për shkaqe të dhëna nga ky parlament, për të mos hyrë në këtë parlament. Deri tani nuk kemi asnjë motiv për të rikonsideruar qëndrimin tonë, uroj që mazhoranca t’i japë këto motive.”

Saimir Kodra: Dhjetor i vitit 1998 është intervista..

Gentian Zenelaj: Jozefina, sa e re paska qenë.

Saimir Kodra: Po sigurisht se nuk ka lind kaq Jozefina.

Gentian Zenelaj: Jozefina më e re, por fjalët të njëjta.

Saimir Kodra: 1998, 2 mijë e…21 vjet. Para 21 vitesh, po e njëjta gjë, parlamenti i inkriminuar, heqje mandatesh, djegie, e njëjta gjë.

Gentian Zenelaj: Atëherë ishte koha “Nano ik”, pastaj erdhi “Berisha ik”, pastaj “Edi ik”, pastaj “Luli ik”, pastaj “Meta ik”…asnjëri nuk iku, vetëm shqiptarët ikën.

/tvklan.al