Çfarë ndodhi në takimin Majko-Berisha (Video-Arkiv)


Çfarë ndodhi në takimin Majko-Berisha (Video-Arkiv)

19:30 13/02/2019

Takimi mes Kryeministrit Pandeli Majko dhe kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha në vitin 1998 bëri bujë dhe u komentua shumë në atë kohë. Berisha dhe Majko i dhanë dorën njëri-tjerit në takimin për grevën e urisë së studentëve. Në takim ishin edhe numri 2 i qeverisë së asaj kohe, Zv/Kryeministri Ilir Meta dhe Genc Pollo, nënkryetar i PD dhe Kryetar i Grupit Parlamentar. Pas takimit, Meta dhe Pollo ishin të ftuar në emisionin “E Diela Debat”, me drejtues Blendi Fevziun, ku treguan detaje rreth takimit.

Intervista Ilir Meta dhe Genc Pollo

Blendi Fevziu: Të nderuar teleshikues mirëmbrëma. Ju flas nga studio e Tv Klan, nga emisioni “E Diela Debat”. Jemi në një edicion special të këtij emisioni, i cili është një reflektim i asaj që ka ndodhur dje. Pra një nga evenimentet politike më të rëndësishme, jo vetëm të këtij viti, por mbase të këtyre 7-8 viteve pluralizëm politik në Shqipëri. Takimi Majko, Meta, Berisha, Pollo, i cili dje ka bërë hapin e parë drejt një pajtimi, nëse mund të quhet kështu, të dy partive politike më të mëdha në Shqipëri. PS, që drejton vendin dhe është partia më e madhe në vend dhe PD, që është partia më e madhe e opozitës. Ky eveniment i rëndësishëm është shoqëruar me tituj të mëdhenj, thuajse në të gjithë shtypin e sotëm dhe në të gjitha mediat audiovizive. Ditën e dielë, në natën e fundit të festivalit, një këngëtare kosovare këndoi një këngë ku thoshte le të puthen socialistë e demokratë, që ngjau si një iluzion për ata që e njohin realitetin shqiptar. Në të vërtetë, siç ndodh shpesh ku të papriturat janë gjëja më normale, ndodhi pikërisht kjo, Berisha dhe Majko i dhanë dorën njëri-tjetrit, ku u takuan me ndërmjetësimin e një shoqate “Dhjetori ‘90”, shoqatë e ish-studentëve vitit 1990. U takuan për grevën e urisë së studentëve, por në fakt nuk kanë diskutuar vetëm për këtë, por edhe për shumë probleme të tjera të rëndësishme të politikës aktuale. Unë kam këtu dy nga protagonistët e këtij takimi, numrat dy do t’i konsideroja unë të qeverisë, zotin Ilir Meta, Zv/Kryeministër dhe ministër i Koordinimit Qeveritar, anëtar i kryesisë së PS dhe zotin Genc Pollo, nënkryetar i PD dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PD. Meta dhe Pollo kanë qenë dje të pranishëm në takimin mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës, si anëtarë të dy delegacioneve të dy përfaqësive. Tema e sotme do të jetë kryesisht ajo çfarë është biseduar në takimin Majko-Berisha dhe si ka reflektuar sot politika shqiptare në nivelet ndërkombëtare, si dhe ç’mund të sjellë ky në të ardhmen. Po filloj me zotin Meta. A kishte mundësi që ky takim të realizohej më parë? Kam parasysh që politika shqiptare ka patur edhe evenimente të tjera të rëndësishme, siç ishte greva e urisë së studentëve, vrasja e Hajdarit, arrestimi i të gjatëve. A mund të realizohej më parë një takim i ngjashëm?

Ilir Meta: Do të ishte shumë mirë që takimet midis qeverisë apo dhe mazhorancës parlamentare dhe opozitës të ishin periodike, ashtu siç e shprehu dhe sot presidenti i AD, zoti Ceka. Por vetë zhvillimet e mëparshme në vend për fat të keq kanë krijuar një situatë jo normale qeveri-opozitë. Dhe në këtë kuadër, pavarësisht nga dëshira apo si do të ishte më mirë, ky takim u zhvillua dje dhe unë do të vlerësoja faktin që kur ekziston një vullnet i mirë mund të gjendet një zgjedhje.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo a kishit tentuar ju më parë të kontaktonit ose të takonit socialistët, ose qeverinë, për problemet më të rëndësishme në vend?

Genc Pollo: Unë besoj se historia e pas Qershorit të 1997 është historia edhe e përpjekjeve për kontakte, për dialog dhe marrëveshje, të cilat nuk kanë qenë të frytshme. Një pjesë e vogël e përpjekjeve ka përfunduar me marrëveshje. Unë kam përvojën time personale në atë kohë me Pandeli Majkon, kur ishte kreu i Grupit Parlamentar, për amendamentin e Arbnorit për ndarjen e kohës televizive. Marrëveshja u arrit, por nuk u zbatua kurrë. Ka patur edhe përpjekje të tjera dhe thirrje për dialog. Që në verën e vitit të kaluar disa përpjekje për t’i mbledhur disa parti bashkë një pjesë me iniciativë të PD, një pjesë me iniciativë të PS në mënyrë që problemet e mëdha, kriza e vendit, çështjet e rendit publik dhe çështjet e rinisë të trajtoheshin dhe të gjithë së bashku të arrinin një konsensus, në mënyrë që zhvillimin politik ta bazonim në një bazë konsensuale. Praktikisht PS në një mënyrë ose në një tjetër ka refuzuar. Është një histori përpjekjesh dhe një histori mos suksesi në këtë drejtim, për arsye që mund t’i diskutojmë. Besoj që në atë periudhë ka qenë një dëshirë për ta mbajtur vendin të polarizuar. Dikujt i ka leverdisur një mostabilizim i Shqipërisë dhe në këtë prizëm gjithmonë me kujdesin e duhur takimi që u bë dje midis nesh është diçka që lë për të shpresuar, sepse u morën vesh për një gjë themelore që është çështja kombëtare, që është orientim kryesor në politikën e jashtme dhe të sigurimit, si edhe çështja e studentëve që na bëri të thyejmë një tabu. U arrit që në vijat kryesore të shprehet një qëndrim i përbashkët.

Ilir Meta: Unë dëshiroj të shtoj diçka, pa dashur të zhvilloj polemikë me zotin Pollo. Unë kam ardhur në këtë emision për të zhvilluar atë mesazh të takimit të djeshëm, i cili mund të them se ishte spontan, por i nisur nga qëllime të mira, ku Kryeministri dhe unë u takuam me drejtuesit kryesorë të opozitës. Unë nuk dua të hyj në arsyet se kush ka patur apo jo të drejtë, apo kush e ka bllokuar deri tani mundësinë e një dialogu, apo kush e ka fajin për bërjen e vendit me Kushtetutë që nuk u bashkua PD. Unë mund të them që qeveria e re nuk ka asnjë lloj kompleksi me opozitën apo me forca të tjera. Unë mund t’ju kujtoj se një nga veprimet e para të kësaj qeverie ishte takimi i Kryeministrit Majko me kreun e Bashkisë Tiranë, Zotin Brojka, që i përket PD. Ne mund ta kishim kërkuar Zotin Brojka edhe në Kryeministri, por ne nuk i kushtojmë shumë rëndësi kësaj, ishte një mesazh që qytetarët të mendojmë se kjo qeveri është e interesuar të dialogojë me opozitën në bazë të ligjeve, për të zgjedhur problemet. Dhe mendojmë se nga takimi i djeshëm ne duhet të zhvillojmë pikërisht këtë mesazh, është mundësia që ne të ulemi, që të bisedojmë dhe të meremi vesh dhe të evitojmë shumë tensione që krijohen në distancë. Kryesorja është që ne e kemi për detyrë të ballafaqohemi dhe të arrijmë në disa zgjedhje të përbashkëta, natyrisht ne nuk do të jemi dakorD për gjithçka.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo, fakti që shkuat në një takim ku kërkohej të zgjidhej kriza e krijuar nga greva e studentëve, a mund të vërtetojë akuzën e disa prej drejtuesve të PS, që kohë më parë iu kanë akuzuar si drejtues të grevës së studentëve? Madje Ruçi sot është shprehur duke thënë se Kryeministri Majko, sot ka takuar kryetarin e grevës së urisë, Zotin Berisha.

Genc Pollo: Para se të fillojmë të diskutojmë problemet e brendshme të PS do doja t’ju kujtoja se kanë qenë jo PD, por forca të tjera që kanë marë iniciativën për të thirrur një tryezë të tëra partive politike shqiptare që kësaj çështje t’i gjendej një zgjedhje dhe ky takim është pikërisht në atë frymë. Për grevën e studentëve është folur shumë, ka folur me terma ofenduese Ministri i Arsimit, ka folur me terma të papranueshme Kryetari i Kuvendit, Skënder Gjinushi, kanë folur shumë figura të tjera të cilët i kanë quajtur ushtarë apo bij të udhëheqësve të PD. Praktikisht, mirë e bukur u morën vesh me kërkesat e tyre dhe u gjetën zgjedhje të përbashkëta për 95%, se s’mund të arrihet 100% menjëherë. U diskutua në mënyrë të civilizuar, u bë një negociatë dhe u arrit një marrëveshje që përmban një përmbushje të kërkesave ekonomike dhe një tratim thelbësor dhe të atyre që u paragjykuan si kërkesa politike, si vrasja e Azem Hajdarit, çështja e të burgosurve politikë, apo edhe çështje të tjera.

Në bisedën që patëm dje e cila ishte e hapur dhe shpresëdhënëse ka edhe një rishikim të policisë, të Ministrisë së Rendit, e cila i nxorri me dhunë të pajustifikueshme dhe në rast se konstatohet ata që kanë shkelur ligjin të vihen para përgjegjësisë. Sikur këto të ishin bërë më përpara nuk do të ishin krijuar ato që Zoti Meta me të drejtë i quajti artificiale. Përsa i përket asaj që më pyetët ju, që greva ka qenë e istrumentalizuar, askush nga këta përfaqësues të nderuar të qeverisë duke filluar nga Et’hem Ruka, Anastas Angjeli, Ermelinda Meksi etj, etj., nuk i ka rënë në mendje t’i konsiderojë ata përfaqësues politikë, por në mënyrë normale kanë arritur një deklaratë të përbashkët në përmbushjen e kërkesave, sipas afateve.

Blendi Fevziu: Zoti Meta duke patur parasysh që për grevën e studentëve qeveria ose drejtuesit e lartë të saj nuk keni negociuar direkt me ta, por zgjodhët rrugën e bisedimit me PD. Pse pikërisht me PD dhe jo me tryezën e partive politike në Shqipëri?

Ilir Meta: Dua të sqaroj se nuk është e vërtetë që qeveria ka refuzuar të dialogojë me studentët, si në Tiranë ashtu edhe në Shkodër, ku ka qenë disa herë Zv/Ministri i Arsimit. Zoti Ulqini dhe Zoti Solis kanë shkuar në mënyrë që të arrinin në një marrëveshje dhe të priteshin nga Kryeministri në zyrë, për arsye se e vetmja pengesë për të zhvilluar dialogun ka qenë një ultimatum i tyre që do të zhvillohej biseda në vendin e grevës së urisë, me Kryeministrin dhe me asnjë tjetër. Ndërkohë që qeveria ka qenë e hapur për dialog. Kryeministri cakton përfaqësues të cilët kanë mandatin për të marë përsipër detyrime në emër të qeverisë. Ky ka qenë absurdi, sepse mund të futet edhe nesër një person në grevë urie dhe të thotë që po nuk erdhi Kryeministri unë nuk dal dhe nuk ka qenë dhe nuk mbetet më e rëndësishmja u takuan apo jo studentët me Kryeministrin. E rëndësishme është që kërkesat e tyre të trajtohen me seriozitet. Ata kërkonin rritjen e bursës me 50%, por kjo krijonte një precedent shumë të rrezikshëm, që të ngriheshin të gjithë pedagogët, pensionistët dhe të thonë përse studentët marrin disa herë më shumë se ne dhe kjo prish ekuilibrat e shtetit. Dhe problemi është që paratë e buxhetit të shtetit nuk janë xhepi i Kryeministrit, as i qeverisë. Duhet të ndajmë dëshirën për të bërë diçka, me mundësinë dhe përgjegjësinë për të qeverisur për të gjithë. Në këtë kuptim, unë mendoj se kjo ka qenë arsyeja se përse nuk është zhvilluar takimi, sepse ka patur edhe një keqkuptim përsa i takon takimit në Kryeministri, pasi ne kemi patur informacion për gjendjen shëndetësore që ka qenë duke u rënduar dhe mund të akuzohej shteti. Për ta evituar këtë, ne si Këshill i Ministrave, të gjithë bashkarisht vendosëm që policia sëbashku me një ekip mjekësh të shoqëronin studentët në Spitalin Ushtarak, për të bërë ekzaminimin shëndetësor dhe të tjerët të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Përsa i përket pretendimit se studentët janë dhunuar, ne kemi qenë të hapur dhe kemi rënë dakord që të kryehen të gjitha ekzaminimet. Përsa i takon takimit të djeshëm, ishte një takim që erdhi si rezultat i një ndërmjetësimi, në mënyrë që përfaqësuesit e qeverisë të bisedonin me drejtuesit kryesorë të PD për të gjetur një zgjedhje, që u arrit praktikisht dje.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo, kisha një ndërhyrje. Ju thatë pak më parë që kishit vendosur që me PS dhe me qeverinë nuk do të diskutonit mbi disa probleme, por u detyruat të uleshit në këtë tryezë për arsye të grevës së studentëve, agravimit të gjendjes së tyre shëndetësore dhe pasojave që mund të sillte kjo. Ndërkohë siç është bërë e ditur në këtë takim nuk është diskutuar vetëm për grevën e studentëve, por edhe për probleme të tjera, cilat kanë qenë këto probleme?

Genc Pollo: Në radhë të parë kthehemi pak tek studentët, do doja të shprehja keqardhjen time që vazhdon të mbrohet ndërhyrja e policisë në orët e para të mëngjesit. Unë kam qenë duke shkuar atje, jam dëshmitar i dhunës dhe një pjesë e tyre janë rrahur dhe janë çuar edhe në spital. Unë nuk hedh dyshimin që drejtues të policisë kanë dhënë urdhër specifik për ushtrimin e dhunës, sepse duhet të kisha informacione për ta thënë këtë, por jam 100% i sigurt që në mënyrë brutale është ushtruar dhunë. Por të nxirren studentët me një dhunë të tillë është një precedent që kjo qeveri do kishte bërë mirë të mos e bënte. Meqë e bëri, një hap mbrapa duke kërkuar falje do të lartësonte vetë drejtuesit e qeverisë. Ndoshta verifikimet do të çojnë në këtë përfundim dhe më pas në këtë veprim. Lidhur me pyetjen, ka patur një vendim për të dialoguar si formë normale e zhvillimit të politikës dhe një formë kontakti që i nevojitet dialektikës në vend, por ky dialog duhet të jetë serioz dhe duhet të bëhet kur krijohen kushtet dhe klima për të. Me arrestime, akuza, heqje imunitetesh, natyrisht nuk krijohen as kushte as klima.

Blendi Fevziu: Unë po këmbëngul pikërisht këtu. Ju u ulët për të diskutuar për çështjen e studentëve, por diskutuat edhe për probleme të tjera, cila ishte pesha e këtyre problemeve dhe cilat ishin këto probleme konkrete?

Genc Pollo: Pas diskutimit një për një të çështjes së studentëve dhe shqyrtimit të zgjidhjes së tyre u diskutua në mënyrë të veçantë për çështjen e Kosovës. Çdo shtet që synon të jetë normal dhe i besueshëm duhet të ketë një kontinuitet në politikën e sigurisë dhe politikën e jashtme, duhet të ketë edhe një konsensus të gjerë edhe në politikën e brendshme.

Blendi Fevziu: Dhe ju e gjetët tek drejtuesit e maxhorancës?

Genc Pollo: Ka një hop pozitiv dhe një ndryshim në krahasim me qeverinë e kaluar Nano. Ne e kemi akuzuar shpeshherë ashpër, por besoj me të drejtë qeverinë Nano, si qeveri që nuk është e interesuar për çështjen e Kosovës. Nuk ka interes dhe nuk është e angazhuar për të arritur një zgjedhje të drejtë për të arritur atë ç’ka është e drejtë dhe që i takon popullit shqiptar.

Blendi Fevziu: Konkretisht Zoti Pollo, në takimin e djeshëm a gjetët një konsensus?

Genc Pollo: Ka patur deklarata të papërgjegjshme dhe kjo është më e keqja, pa nxjerrë ndonjë sekret nga biseda e djeshme, ka patur jo vetëm deklarata dhe politikë të deklaruar, por edhe agjenci shtetërore që kanë çuar në përçarjen e faktorit ushtarak dhe të faktorit politik në Kosovë. Këtë kritikë është publiku dëshmitar, nuk e kemi përsëritur me qeverinë e re dhe gjuha e përdorur ka qenë deri diku mbështetëse. Natyrisht ka patur edhe kritika, gjë që është deri diku normale. Kjo përbën një bazë afrimi. U diskutua për linjat politike për Kosovën edhe për shtjellimin në detaje të kësaj politike dhe për unifikimin e faktorit shqiptar në Kosovë, qoftë politik, shpresojmë edhe ushtarak. Natyrisht ka handikape, nëse zotërinjtë Majko dhe Meta e shprehin këtë, unë nuk mund të lë pa thënë që mbi këtë vullnet ka një hije dhe është Ministri i Jashtëm, i cili ishte i përputhshëm krejtësisht me politikën që ka ndjekur Nano. Është i njëjti, mund të ndryshojë gjuhën, por nuk besoj të arrijë atë përputhshmëri qoftë tek shqiptarët, qoftë tek partnerët ndërkombëtarë. Edhe në këtë situatë të re gjenden imperfeksione dhe do të ishte në përgjegjësinë e drejtuesve të rinj të qeverisë për të gjetur formula më të mira për të gjetur politika të drejta dhe t’i bëjnë ato të besueshme.

Blendi Fevziu: Zoti Meta a mendoni ju që në bisedën e djeshme keni patur pika të përbashkëta me opozitën përsa i takon problemit të Kosovës? Një nga problemet madhore të politikës aktuale shqiptare.

Ilir Meta: Së pari unë u përpoqa që në fillim për të evituar polemikat e panevojshme, edhe në këtë rast, lidhur me trajtimin e grevës së urisë unë nuk mund të jap garanci, sepse nuk kam qenë atje. Por sqarova se cili ka qenë qëndrimi i Këshillit të Ministrave, që jemi të hapur që kjo çështje të verifikohet. Na vjen keq që na sillet në kujtesë ish-Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, sepse ka edhe përvoja më të freskëta që unë nuk dëshiroj t’i kujtoj. Jemi këtu që të shkurtojmë këtë distancë.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo sapo tha që keni kërkuar edhe ndjesë për këtë.

Ilir Meta: Kam kërkuar me pak vonesë dhe në rast se rezulton ashtu siç thotë Zoti Pollo, nuk ka asgjë të keqe që të mos kërkojmë ndjesë, janë gjëra normale.

Genc Pollo: Kjo është për t’u përshëndetur.

Ilir Meta: Nëse është e vërtetë padyshim, s’është çështje krenarie. Ne duam të evitojmë gjithçka që krijon polemika boshe. Përsa i takon problemit të Kosovës, i cili nuk ishte i parashikuar, dua të them që edhe diskutimi tregon edhe përgjegjësi, edhe faktin që Kosova është në axhendën e ditës së politikës shqiptare. Jemi në një situatë krize vetë si faktor shqiptar, duke patur parasysh faktorin shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri. Ajo që unë dua të vlerësoj është që arritëm në një mendim të përbashkët, që të gjithë faktorët politikë në Shqipëri duhet të arrijnë në një qëndrim të përbashkët që do t’i rezistojë të gjitha kohërave dhe do të jetë shenjë e seriozitetit dhe heq mundësinë për të spekuluar me këtë çështje brenda vendit për nevojat politike të ditës. Unë nuk dua të bëj komente për marrëdhëniet me qeverinë e mëparshme, por mund të themë se qeveria e re zbaton programin e PS për të gjetur një zgjedhje midis dy parimeve të njohura të vetëvendosjes dhe mosndryshimit të kufijve me dhunë. I këtij qëndrimi ishte edhe Zoti Berisha dhe Zoti Pollo dhe kjo mendoj është diçka pozitive.

Blendi Fevziu: Pra harmonizimi i politikës midis maxhorancës dhe opozitës mund të sjellë edhe hamonizim midis Shqipërisë dhe forcave në Kosovë.

Genc Pollo: Ne shpresojmë që një mesazh i tillë të arrijë në Kosovë dhe të ndikojë atje në këtë drejtim.

Blendi Fevziu: Ne do të bëjmë ç’është e mundur Zoti Pollo, në ritransmetimin e këtij emisioni në Kosovë.

Zoti Meta ka patur mjaft komente për takimin e djeshëm, ka qenë një takim nën cilësinë e anëtarëve të qeverisë apo të përfaqësuesve të PS, se me ç’po vë re unë edhe Zoti Pollo iu quan përfaqësues të PS në takimin e djeshëm.

Ilir Meta: Së pari unë dua t’ju them se ne kemi qenë si përfaqësues të qeverisë, pra takimi është kërkuar me Kryeministrin dhe Zv/Kryeministrin, por natyrisht ne jemi edhe anëtarë drejtues të PS dhe unë nuk e shikoj të rëndësishme këtë, sepse është qeveria ajo që duhet të ndërmerte një hap për të zgjidhur këtë problem, nuk është thjeshtë PS.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo ju e keni cilësuar këtë takim mes përfaqësuesve të PS dhe PD, mos ka një gabim këtu?

Genc Pollo: Pandeli Majko nuk është zgjedhur prej meje Sekretar i Përgjithshëm i PS dhe unë s’mund ta heq atë, të njëjtën gjë mund të them edhe për Kryeministrin. Nuk ndahen dot dy funksione nga një person. Iniciativa e studentëve të Dhjetorit qe shumë e mirë, të cilët takuan Kryeministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm dhe Zv/Kryeministrin dhe anëtarin e kryesisë. Dëshira fillestare ishte takim mes të gjitha partive, rezultoi takim i dy partive kryesore. PS dhe qeveria besoj u paraqit në nivelin më të lartë në këtë takim që pati një rezultat konkret lidhur me grevën e studentëve.

Ilir Meta: Më duket se kemi hyrë në artificialitete, për arsye se PS si çdo parti tjetër, nuk kishte detyrim të drejtpërdrejtë ndaj studentëve, është ekzekutivi ai që ka të bëjë me problemet e tyre.

Blendi Fevziu: Zoti Meta, cili ka qenë reagimi i sotëm i strukturave të PS. Për të marrë pjesë në këtë emision, ju jeni larguar nga një mbledhje e PS dhe keni marrë pjesë 1 orë. Nga ajo që është parë sot në shtyp, Ruçi, Fino dhe Braho kanë reaguar jo mjaft pozitivisht për takimin e djeshëm. Braho është shprehur se krijimi i një komisioni hetimor për vrasjen e Hajdarit është një konsensus i jashtëligjshëm. Njëkohësisht edhe Ruçi, edhe Fino kanë ironizuar se kjo ka ardhur nga një këngë e këngëtares Gili, por nuk i dukej diçka shumë e rëndësishme.

Ilir Meta: Unë mendoj se nuk është momenti për të ironizuar dhe se çdo deputet ka të drejtë të komentojë si të dojë. Sot Zoti Mako ka patur një takim me drejtuesit e partisë Aaleanca për Shtetin dhe mund t’ju them se edhe në gjirin e PS, në strukturat e saj, ky është pritur pozitivisht. Unë erdha këtu direkt nga mbledhja e Kryesisë së PS dhe natyrisht për shkak të këtij takimi spontan është kërkuar një lloj sqarimi, i cili është bërë shumë transparent dhe ne këtu jemi edhe një herë tjetër për të sqaruar opinionin se për çfarë kemi biseduar. Përsa i takon shqetësimit të deputetit Braho, ka qenë një kërkesë e studentëve për të cilët është dhënë edhe një përgjigje lidhur me marjen e masave dhe zbardhjen e çështjes Hajdari. Ishte dhe një kërkesë e transmetuar edhe nëpërmjet kreut të PD për të kaluar një ligj. Qeveria është shumë e interesuar për të siguruar një transparencë sa më të plotë për zbardhjen e kësaj çështje, e cila është mjaft delikate dhe shërbeu si shkak për ato çështje në të cilat kaloi vendi. Dhe së dyti, qeveria është e angazhuar për të marë çdo iniciativë në bashkëpunim me strukturat e tjera dhe opozitën, në përputhje me ligjet në fuqi, për zbardhjen përfundimtare të kësaj çështje mjaft serioze.

Blendi Fevziu: Zoti Meta kam edhe një pyetje të shkurtër, a merrte pjesë sot në mbledhjen e kryesisë Zoti Nano?

Ilir Meta: Nuk merrte pjesë, por besoj do të marë pjesë në mbledhjet e ardhshme.

Blendi Fevziu: Kjo është një gjë që përsëritet vazhdimisht, që do të marë pjesë në mbledhjet e ardhshme, megjithëse në të ardhshmet ai vazhdon të mos marë pjesë. Jashtë kësaj, a e kishit vënë ju në dijeni Zotin Nano?

Ilir Meta: Ne nuk kemi patur mundësi për të vënë në dijeni të gjithë drejtuesit e PS. Grupi i mediatorëve kërkoi një takim mes Zotit Majko si Kryeministër dhe Zotit Berisha si Kryetar i PD, në mënyrë që ky lloj ballafaqimi të hapte rrugën për vendosjen e një dialogu, gjë që u arrit. Në këto kushte, duke qenë se koha ka qenë e kufizuar, vetëm disa anëtarë të qeverisë dhe drejtues të PS ishin në dijeni.

Blendi Fevziu: Sot siç edhe është transmetuar në një kronikë të Tv Klan, ka patur shumë anëtarë të partisë tuaj të cilët kanë qenë të paqartë për këtë takim dhe shpesh të pakënaqur. Cili ka qenë reagimi në brendësi të PD për këtë takim?

Genc Pollo: Është e vërtetë që një pjesë e mbështetësve të PD erdhi i papritur, por nëpërmjet kontakteve të shërbejë për sqarim. Unë e përmenda edhe në fillim, që ka një traditë të keqe të përpjekjeve për të arritur marrëveshje, që nuk janë zbatuar kurrë nga pala socialiste.

Ilir Meta: Të njëjtën gjë do të thosha edhe unë.

Genc Pollo: Në çdo marrëveshje që bëhet merret parasysh një lloj risku, sepse ekziston mundësia e dështimit, kur besimi nuk është i konsoliduar me një partner. Shpresoj të mos jetë ky rasti. Kjo gjë është akumuluar jo vetëm tek drejtuesit e PD, por edhe tek mbështetësit dhe shumë prej tyre që thonë: Ata dhanë fjalën, por do ta hanë prap, do gënjehen. Shpresojmë që këto frikëra, që unë i shoh të mbështetura në një vit e gjysmë, të mos realizohen. Ishte një takim i domosdoshëm për të mos rrezikuar edhe më tej jetën e studentëve dhe shërbeu edhe më tej për të hedhur disa piketa për një çështje madhore, që çdo vend serioz duhet t’i përqaset me nje konsensus. Nëse gazetarët tuaj do të intervistonin drejtuesit, anëtarët e kryesisë, deputetët, anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD, besoj që do të kishte pak a shumë një mesazh unik. Nga ato që pashë në televizionin tuaj, por edhe tek të tjerët, shohim një rezervë shumë të madhe, për të mos thënë refuzim, nga drejtues si Ruçi, Malaj, apo Fino, të cilët janë shprehur në mënyra refuzuese. Shpresoj të mos çojë në një tërheqje të atyre që ndërmorën një iniciativë të guximshme. Zoti Meta po vjen nga mbledhja e kryesisë së partisë...

Blendi Fevziu: Po, Zoti Meta ka diçka për të thënë.

Ilir Meta: Unë mund t’iu theksoj edhe një herë që dialogu ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e qeverisë së re dhe nuk dua t’ju përmend më raste të tjera. Mendoj se çdo politikan i arsyeshëm që del kundër dialogut në parim, bën një vetëvrasje, sepse dialogu është një domosdoshmëri dhe nuk e imponon dëshira e palëve, por përgjegjësia për fatet e vendit. Sepse ne jemi banorë të një shtëpie të përbashkët, që kur rrëzohet nuk zë vetëm ata që janë në pushtet, por edhe ata që janë në opozitë. Nuk zë vetëm anëtarët e partive, por edhe ata që nuk duan t’ia dinë për parti fare. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm, që për hir të dialogut edhe të riskojmë, që do të thotë që. edhe nëse do të ketë keqkuptime, qoftë edhe brenda PS, ne do të përpiqemi t’i sqarojmë, sepse është më e rëndësishme të krijohet qetësia në vend, edhe pse ne mund të na krijohen disa shqetësime që unë i shikoj krejtësisht të evitueshme.

Blendi Fevziu: Unë do t’i drejtohesha përsëri Zotit Meta me një pyetje që ka të bëjë sa me problemet e qeverisë me PS, aq edhe me marrëdhëniet brenda PS. Ky takim i papritur, a mund të thuhet se ka zbehur rolin e Nanos? A mund të thuhet që aktualisht pas këtij takimi, Nano mund të bëhet përgjegjës për mungesën e dialogut me opozitën gjatë një viti që ai drejtoi qeverinë?

Ilir Meta: Së pari unë dua të them që ishte rezultat i vetë zhvillimeve për funksionimin normal të institucioneve. Opinioni ndërkombëtar normalisht merret në konsideratë, por në radhë të parë janë interesat e vendit dhe qytetarëve, që na diktojnë një bashkëpunim të tillë. Për sa i takon raporteve me ish-Kryetarin e PS, unë mendoj se. edhe pse nuk është bërë një bisedë paraprakisht me të, padyshim që ai nuk mund të jetë kundër dialogut, edhe pse nuk është arritur në të kaluarën.

Blendi Fevziu: Pra ju mendoni se ai ka qenë për dialog, nuk e di nëse është i të njëjtit mendim Zoti Pollo?

Genc Pollo: Nuk besoj që frazat e fundit të Zotit Meta ishin më të vërtetat e të gjitha atyre që ka thënë deri tani, që Zoti Nano është pro dialogut dhe mbështetës i tij. Normale do të ishte që një kryetar partie të ishte prononcuar pro ose kundër. Ai si kryetar partie duhet të tregojë përgjegjësitë e veta, duke u prononcuar rreth kësaj ngjarje të rëndësishme politike. Por fakti që, kur Nano drejtonte qeverinë nuk janë arritur marrëveshje të tilla, tregon që nuk ka dashur një dialog të tillë. Kjo konfirmohet edhe nga pamjet që japin dy partitë. Nëse do ishin pyetur drejtues të PD, 90% e tyre do të ishin shprehur pa rezerva pro këtij takimi dhe mesazhit të tij. Ndërsa nga intervistat që janë bërë, nga drejtuesit kryesorë të PS shihet qartë një ndarje që nuk mund të shmanget. Në gazetat e sotme del e qartë rezerva e Gramoz Ruçit, rezerva e Arben Malajt, ironia me vend ose pa vend e Bashkim Finos, krahas vullnetit të mirë që treguan drejtuesit e qeverisë për të ecur në këtë drejtim. Është një çarje që bazohet në interesa të vjetra. Do ishte mirë që të kapërcehej dhe në PS të mbizotëronin ato forca që janë pro dialogut dhe një marrëveshje të vërtetë. Por duke iu referuar asaj që kemi parë në ekran, nuk rezulton kjo gjë. PD ishte në nivelin më të lartë, ishte dhe është pak a shumë në bllok për këtë dialog, Nano praktikisht nuk ka qenë dhe në mungesë të tij u realizua ky dialog dhe PS në deklaratat e saj paraqitet e përçarë atëherë teleshikuesi dhe çdo shqiptar që është i informuar me këtë gjë e kupton fare mirë se tek cila parti qëndronte vështirësia më e madhe për arritjen e një marrëveshje të tillë.

Ilir Meta: A mund të ndërhyj një sekondë? Së pari nuk i është kërkuar as nga grupi mediator dhe as nga PD, Zotit Nano për të marë pjesë në një takim të tillë. Takimi i është kërkuar Kryeministrit Majko, si Kryeministër dhe që mund të ndikonte lidhur me situatën e studentëve grevistë. Së dyti, unë vij nga një mbledhje e PS dhe mund të them që atje dominonte opinioni pozitiv dhe atje ka opinione dhe paqartësi. Por sot Kryeministri ka zhvilluar një takim me të gjithë drejtuesit e Aleancës për Shtetin dhe ju e dëgjuat Zotin Ceka që tha që, jo vetëm që nuk duhet të habitemi, por duhet të ndodhë normalisht. Kështu që të mos komentojmë gazetat, sepse krijohen probleme të tepërta, prandaj është mirë që të takohemi.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo, fakti që PD ka hezituar të takojë Nanon dhe qe e gatshme të takojë Majkon, a ka të bëjë me një lloj preference apo mërie që PD ka patur ndaj Kryeministrit Nano?

Genc Pollo: Nuk dua të bëj përçarësin e PS, duke i dhënë përgjigje kësaj pyetje. Unë do t’i qëndroj asaj që thashë përpara, që kërkesat për dialog nga PD janë bërë edhe kur në krye ishte Zoti Nano dhe janë refuzuar. Kryeministri Majko nuk ishte zgjedhje e PD, megjithatë rasti i djeshëm solli këtë takim dhe ka të bëjë me personat që ndodhen aty, Zoti Majko dhe Zoti Meta u përgjigjën pozitivisht dhe erdhën aty dhe takimi ndodhi. Nëse do të ishte Nano në krye të PS mund të kishte refuzuar për arsye të ndryshme, por kjo është hipotetike.

Blendi Fevziu: Zoti Meta çfarë sinjalesh ndërkombëtare ka patur pas këtij takimi?

Ilir Meta: Së pari unë dua të them që koha është mjaft e shkurtër. Natyrisht kjo është një ngjarje e cila është komentuar pozitivisht nga ata që kuptojnë se dialogu është e vetmja mënyrë për zgjedhjen e problemeve. Shumë ambasadorë janë shprehur pozitivisht, duke shprehur dëshirën ky të mos mbetet vetëm një takim, por të zhvillohet më tej dhe të shërbejë për normalizimin e proceseve demokratike në vend.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo, ju keni marë mesazhe nga partnerët tuaj europianë?

Genc Pollo: Besoj që reagimet që janë bërë deri tani janë pozitive dhe besoj do mund të ndiqen edhe nga reagime të tjera pozitive, sepse kërkohet dialog duke zbatur principet e shtetit të së drejtës. Mua më vjen mirë, që ndërmjetësimi në një situatë tensioni, i cili është i rëndësishëm, u bë nga një grup të rinjsh shqiptarë që kanë një përvojë historike nga Dhjetori i vitit ’90 dhe nuk u fut ndonjë diplomat i huaj shumë i përfolur që nganjëherë më shumë ngatërron se sa ndreq.

Blendi Fevziu: Një nga problemet më të mëdha menjëherë pas takimit ka qenë çështja e reagimit nga koalicioni qeveritar, por edhe nga partitë e tjera. Zoti Meta, fakti që Zoti Majko dhe ju vendosët që për një krizë të politikës shqiptare të negocionit direkt me PD dhe të mos thërrisni një tryezë të partisë, a tregon kjo që politika shqiptare po polarizohet dhe roli i partive të vogla po zbehet?

Ilir Meta: Së pari duhet të kuptojmë edhe dimensionet e problemit, të cilat nuk janë kaq të mëdha sa do të kërkonin një tryezë forcash politike. Madje kjo do të ishte zgjidhur nëse studentët do të pranonin të negocionin me përfaqësues të qeverisë dhe jo me kushtin që Kryeministri të shkonte në Qytetin Studenti. Ishte nevoja për të kapërcyer një kusht të tillë që të zgjidhej problemi, nuk kishte në vetvete një dimension të jashtëzakonshëm. Fakti që u zgjidh në këtë mënyrë tregoi që nuk ishte një problem institucional i një karakteri të gjerë.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo a mendoni se ky takim për të zgjedhur këtë problem ishte një tentativë e dy partive më të mëdha për të marë në dorë përgjegjësinë për qeverisjen e vendit, duke lënë mënjanë partitë e vogla?

Genc Pollo: Personalisht besoj se nga 1991 e këtej, politika shqiptare është zhvilluar dhe po zhvillohet drejt bipartizimit. Janë dy parti të mëdha që po drejtojnë jetën politike të vendit, por ka edhe parti të vogla që mund të japin kontribut të çmuar dhe që marin iniciativa. Por vendimet politike në gjëra thelbësore meren nga dy forcat kryesore. Ne kemi një përvojë të mirë me partitë e vogla, por duhet të dinë vendin e tyre. Për mendimin tim, kjo nuk vihet re me dy parti të cilat duke patur peshën e mizës, kërkojnë vendin e elefantit.

Ilir Meta: Raporti i PS me partitë e koalicionit është një çështje që përcaktohen nga vetë këto marrëdhënie. Mund të ketë parti të vogla, por që dinë të marin iniciativa të mëdha, ashtu siç mund të ketë parti të mëdha që mund të bëhen faktor i rëndësishëm, por që vegjetojnë për shkak të një tradite militantizmi. Kështu që, sesi do të jetë sistemi politik në Shqipëri është çështje që i mbetet elektoratit. Përsa i përket partive të vogla që duan të mbijetojnë duke nxitur mes dy partive të mëdha, mendoj që ato do të shuhen, ato që do dinë të marin iniciativa do të mbijetojnë.

Blendi Fevziu: Zoti Meta, cili ka qenë reagimi i sotëm i partive të koalicionit të Aleancës për Shtetin. Kam parasysh që dy nga krerët kryesor të këtij koalicioni, Ceka dhe Gjinushi kanë mbajtur qëndrime të ndryshme. Ceka është shprehur se ky takim është normal, ndërkohë Gjinushi ka qenë pak më skeptik. Ai është shprehur se janë të gatshëm për dialog me PD, por jo me Berishën. A shihni këtu një lloj kontradikte që mund të krijojë probleme brenda koalicionit?

Ilir Meta: Unë sapo ju thashë në fillim të takimit që opozita e ka përshëndetur këtë takim dhe mesazhin që ka sjellë dhe mund t’ju korrigjoj, sepse Zoti Ceka nuk ka folur vetëm në emër të Aleancës Demokratike, por në emër të gjithë pjesëmarrësve në takimin me Kryeministrin. Mendoj se duhet t’i besoj më shumë kësaj, sesa gazetës.

Blendi Fevziu: Pyetja e fundit është e përbashkët dhe ka të bëjë me atë që i takon të ardhmes. Zoti Meta, pas këtij takimi të parë, i cili solli zgjidhjen e njërit prej problemeve, atë të studentëve, ky takim ka prekur edhe probleme të tjera. A mund të mendohet se maxhoranca dhe opozita mund të bëjnë një pakt për problemet sociale, problemet mbi rendin, apo edhe çështjet kombëtare?

Ilir Meta: Qeveria është mjaft e interesuar për të zhvilluar më tej dialogun me opozitën dhe është e domosdoshme për shkak të problemeve të akumuluara dhe zgjedhja nuk ka të bëjë vetëm me emergjencën, por edhe me perspektivën e zhvillimit të vendit dhe integrimit të tij në strukturat ndërkombëtare, për të cilat duhet një strategji dhe një mirëkuptim mes gjithë forcave politike, që mos cënohet integrimi i vendit tonë, por njëkohësisht edhe vetë situata në Kosovë dhe Rajon, që pa zgjidhjen e situatës së Kosovës do të jetë shumë e vështirë stabiliteti i plotë. Të gjitha këto diktojnë një pakt mirëkuptimi që do të bënin të gjitha forcat politike, përsa i përket çështjes së Kosovës. Përsa i takon sigurisë dhe problemeve të tjera që na takojnë të gjithëve, siç janë ato me kriminalitetin, çarmatimin, por edhe korrupsionin dhe kontrabantën, do të ishte i nevojshëm kontributi i opozitës që do t’i shërbente normalizimit të situatës. Në këtë rast mendoj se nuk do të kishte palë të humbura dhe të fituara, por vetëm të fituara dhe mbi të gjitha do të fitonin interesat e sotme.

Blendi Fevziu: Zoti Pollo a do të ishit i gatshëm ju t'i ofronit konsensusin tuaj maxhorancës për disa probleme thelbësore?

Genc Pollo: Pa dyshim, dialogu dhe marrëveshja duhet të jenë në thelb të politikës shqiptare për interesin e çështjes kombëtare. Çështja qëndron tek një veprim që besohet që bëhet në mirëbesim. Fjalë të mira ne kemi dëgjuar edhe nga Zoti Nano dhe në këtë pikë ishte edhe më mirë se sa drejtuesit aktualë do thoja, vetëm se fjalët nuk pasoheshin me vepra. Deklaratat mbeteshin në kuadrin e demagogjisë. Është hedhur një hap dhe unë do të dëshiroja që Zoti Meta dhe Zoti Majko të tregonin që ato gjëra që morën përsipër t’i zbatojnë, sepse kështu vërtetë do të kontribuojnë në krijimin e marrëveshjeve që në thelb i shërbejnë popullit shqiptar. Kryesorja do të jetë që veprat të pasojnë fjalët. Kanë çaluar deri në këtë pikë dhe shpresojmë që ky do të jetë një moment kthese. Vetëm se duhet bërë në mënyrë konkrete dhe duhet të jetë e qartë. Pranoi Kryeministri Majko që të nënshkruajë një propozim ligji lidhur me statusin e prokurorëve, që do të meret me çështjen Hajdari, do të paraqitet shumë shpejt nga ne. Aprovimi i tij në parlament do të ishte një rast shumë i mirë për të hedhur një hap drejt mirëbesimit reciprok, që duhet të ndiqet nga hapa të tjerë. Natyrisht pushtetet janë të ndara, por qeveria mban përgjegjësinë për gjithçka që ndodh në vend. Kemi një grup prokurorësh që janë kthyer në një grup special po t'i referohemi ’45, gjë që e dëgjova sot. Këto janë gjëra që duhet të përballohen me seriozitet, në radhë të parë nga ekzekutivi që nëse i ka mundësitë e kufizuara të deklarohet për dëshirën e mirë dhe të bëjë ato hapa që mund të bëjë dhe që janë marë përsipër. Kjo do të ngjallte atë besim që ka munguar gjatë dy viteve të fundit.

Blendi Fevziu: Zoti Meta?

Ilir Meta: Dua të përsëris edhe një herë, për të mos lënë keqkuptime lidhur me kërkesën e drejtë në parim të PD, për t’u marrë çdo iniciativë për çështjen Hajdari, qeveria është e angazhuar. Lidhur me mënyrën konkrete të cilën e shprehu PD dje, unë mund të them që nuk është kompetencë e Kryeministrit apo Zv.Kryeministrit për të përcaktuar mënyrën. Jemi të hapur siç është firmosur sot mes studentëve dhe delegacionit qeveritar lidhur me këtë kërkesë, që të marim çdo iniciativë në përputhje me ligjin. E thashë këtë për të sqaruar se qeveria nuk mund të marë angazhime të cilat nuk i takojnë asaj, por është e predispozuar që çdo çështje ta bisedojë me opozitën dhe ta sigurojë për transparencë të plotë dhe publikun po ashtu, që i takon të gjykojë nëse të dyja palët po i respektojnë marrëveshjet dhe mirëbesimin, apo kërkojnë pretekste për të folur me gjuhën e vjetër.

Blendi Fevziu: Shpresoj që me këtë optimizëm dhe dëshirë të të dyja partive për të gjetur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit po bashkohem unë dhe të gjithë teleshikuesit do të ishte premtimi më i mirë për të mbyllur këtë emision. Shqipëria është vendi i të papriturave. Duke shpresuar që do të kemi të papritura të tjera të këndshme si kjo e djeshmja, ju them faleminderit. Shpresoj që dhe Majko dhe Berisha të jenë këtu një ditë për të sjellë mesazhin e bashkëpunimit, i cili vetëm dje sapo ka nisur. Ju uroj natën e mirë.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube, RTV Klan Arkiv





Të ngjashme