Kryeministri flet për shpërblimin e pensionistëve

Qeveria zhvilloi mbledhjen vjetore në Golem këtë të hënë. Në përfundim të takimit, kryeministri Edi Rama pati një prononcim të shkurtër për mediat ku tregoi se për çfarë diskutoi me ministrat e tij.

Kreu i qeverisë tha se u fokusuan te problematikat dhe prioritetet. Rama u shpreh se brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm pret që një pjesë e banorëve të prekur nga tërmeti të sistemohen në një shtëpi të re.

“Kemi pasur një pjesë të rëndësishme për rindërtimin. Besoj se kemi një plan shumë solid për të nisur procesin e rindërtimit. Objektivi ynë është që brenda pranverës gjithçka të jetë e nisur dhe brenda 6-mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që sot janë në banesat individuale të jenë sistemuar në shtëpi të re”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit tha se u diskutua edhe për 7 prioritetet e qeverisë të bëra publike rreth një muaj më parë. Pas vitit të ri ai tha se qeveria do të kalojë ligjin anti-KÇK.

Të tjera prioritete ai renditi ato në energji dhe infrastrukturë, siç është aeroporti i Vlorës apo tuneli i ri i Llogarasë.

“Kemi diskutuar për ato që ju i keni parë si 7 prioritete e qeverisjes deri në mund të mandatit. Në fillim të janarit, pas vitit të ri ne do të kalojmë aktin që u pengua për shkak të gjendjes së emergjencës kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së si dhe njëkohësisht do të vijojmë punën me Paktin e Universitetit. Energjinë dhe infrastrukturën, kemi nisur procedurën për aeroportin e Vlorës. Shumë shpejt do të hapet puna për rrugën e re që do të ndërtohet nga e para, Thumanë-Kashar-Rrogozhinë. Shpejt do të shpallet edhe procedura për tunelin e Llogarasë dhe pastaj një sërë veprash të tjera”, tha Rama.

Rama tha se së shpejti do të kalojë edhe ligji i ri për tokën. “Ndërkohë në 2020 do të mbyllen përfundimisht të gjitha sportelet duke mbyllur kanalet e ryshfetit apo radhët e njerëzve në pritje të përgjigjeve”, tha Rama.  

Kreu i qeverisë nuk shprehu rezerva për punën e asnjë ministri pas pyetjes së gazetarëve, por tha se qeveria duhet të fajësojë veten sepse duhet të gjejë mënyrat e duhura që të përçojë të gjitha punët e bëra tek publiku.

“Kur sheh punën e bërë dhe kur sheh me orë të tëra shumë gjëra që janë bërë ose janë në proces vërtetë mendoj që është një punë goxha e madhe dhe ndoshta një nga gjërat që duhet të shohim të përmirësohet është komunikimi për këto punë sepse një pjesë e tyre me të drejtë ju nuk keni vëmendje sepse keni gjëra më tërheqëse për publikun. Çdo ditë ka lajmet e veta, kështu që në këtë aspekt nuk mund të fajësoheni. Ne mund të fajësojmë veten për mosgjetjen e duhur të mënyrave të duhur për të çuar te publiku shumë gjëra që janë bërë dhe do të bëhen”, tha Rama.

Ndërkohë, për shpërblimin e pensionistëve tha se e ka si një shqetësim shumë të qartë dhe të fortë. Megjithatë pas tërmetit të 26 Nëntorit, sipas Ramës, qeveria do të shikojë se çfarë barre ekonomike do të ketë për rindërtimin.

“Nesër kemi mbledhjen e qeverisë dhe do flasim për këtë. Çfarë ka ndodhur na ka bërë më të kujdesshëm. Ideja ka qenë që ne të mos cënojmë prioritetet. Pensionistët nuk janë kurrë një kategori që ne ta harrojmë apo neglizhojmë, por nga ana tjetër duhet të jemi të kujdesshëm që ta përballojmë qoftë edhe vetë rindërtimin dhe për të duhet të presim rezultatin e konferencës së donatorëve që të kemi një qartësi sa do të jetë barra jonë në barrën e përgjithshme. Do të komunikojmë në vijim. Është pyetje me vend dhe është një shqetësim që e kam shumë të qartë dhe shumë të fortë”, tha Rama./tvklan.al