Gazetari Artan Hoxha thotë se zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi, duhet të thirret në prokurori pas deklaratës publike që bëri të shtunën, kur tha se ekzistojnë prova me video për kreun e KED-së Ardian Dvorani, të cilin Ilir Meta e akuzon për shkelje të Kushtetutës.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Hoxha është i bindur se deklaratat e Presidencës për rastin e Gjykatës Kushtetuese dhe Ardian Dvoranit, janë shantazh dhe nëse ekzistojnë duhet të ishin dërguar në Prokurori.

“Ky është rasti tjetër që ky që është përfaqëues i Presidencës, urgjentisht duhet të thirret. Ç’është kjo video, aq më tepër që bëhet fjalë që është shantazhuar Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Nëse këto prova ekzistojnë, urgjentisht Prokuroria duhet ta fillojë sepse janë kërcënuar institucionet kryesore të vendit.

Problemi është në këtë rast që unë uroj që ‘Baba Takut’ mos t’i ketë humbur çanta. Është duke u bërë shantazh. Sepse nëse janë provat, ato publikohen. Thirret policia gjyqësore, i jepen provat dhe Prokurora nis hetimet. Do kesh video plot këto ditë, video me prova, jo nga këto shantazhe”, ka thënë gazetari Artan Hoxha. /tvklan.al