Plani i UEFA: Ndeshje çdo 3 ditë me dyer të mbyllura

UEFA po shikon mundësinë për t’i zhvilluar ndeshjet e Champions dhe Europa League me dyer të mbyllura, duke marrë më parë dakordësinë e qeverive të shteteve europiane. Organizmi europian i futbollit kërkon me patjetër të luhen ndeshjet e mbetura dhe të mos e mbyllë sezonin pa i përfunduar të gjitha sfidat.

Kështu po shikohet mundësia e zhvillimit të ndeshjeve në muajin Gusht me një kalendar të ngjeshur, në mënyrë që në fund të këtij muaji të luhen dy finalet, ajo e Europa League më 27 dhe e Champions me 29 Gusht. Pikërisht në muajin më të nxehtë të vitit pritet që skuadrat europiane që garojnë në dy frontet, Champions dhe Europa League të zbresin në fushë çdo 3 ditë.

Duke iu referuar një interviste të dhënë nga presidenti i UEFA-s, Alexanders Ceferin. italianes Corriere Della Sera, mendohet që rinisja e sezonit të Europa League të bëhet me 2 ose 3 Gusht, me dy ndeshjet e mbetura të raundit të 1/16-ave, Inter-Getafe dhe Sevilla-Roma dhe ndeshjet e kthimit më 6 Gusht.

Çerekfinalet e turneut parashikohet të luhen më 10 dhe 13 Gusht, teksa gjysmëfinalet po planifikohen datat mes 17 dhe 20 Gushtit, për të arritur më pas në finalen e madhe, atë të Gdansk në Poloni më 27 Gusht. Linjë e ngjashme më atë të Ligës së Kampionëve që parashikohet të rikthehet në aktivitet nga 7 Gushti deri më 29 Gusht, mbrëmje ku do të mësohet edhe fituesi i sezonit 2019-2020. Pavarësisht planit, çdo gjë mbetet pezull në varësi të situatës shëndetësore në kontinent.

Tv Klan