E ftuar sonte në studion e “Opinion” në Tv Klan, gazetarja Klodiana Lala ka konfirmuar se para disa muajsh janë kryer kontrolle në kompaninë “5D Construction”. Sipas saj, në ambientet e kësaj kompanie janë marrë shumë të dhëna dhe po hetohet për procedurat e tenderimit.


Lala përmendi dhe faktin që hetimet ndaj Monika Kryemadhit e Ilir Metës janë drejt fundit. Megjithatë dosja më e madhe në SPAK thekson ajo, mbeten “Inceneratorët”.

Blendi Fevziu: Cila është çështja më e fortë e korrupsionit që ka SPAK-u në dorë për momentin?

Klodiana Lala: Ka shumë!

Blendi Fevziu: Po më e madhja?

Klodiana Lala: Inceneratorët, “5D”-ja, që është po ashtu një çështje shumë shumë e madhe. Po ta jap lajm dhe po të them që në kompaninë “5D” para pak muajsh është ushtruar kontroll dhe janë marrë qindra dokumente. Është një lajm që nuk është publikuar asnjëherë më parë sepse ka qenë shumë e vështirë për t’u konfirmuar. Por ditën e sotme e kam konfirmuar zyrtarisht nga ana e Prokurorisë, atje janë marrë shumë kompjutera dhe të dhëna. Është mbajtur “top secret”.

Blendi Fevziu: Sot është e konfirmuar zyrtarisht?

Klodiana Lala: Është e konfirmuar. Ka patur një kontroll të detajuar dhe janë marrë bilance të kompanive për të gjithë procedurat tenderuese. Aty janë gjetur shumë të dhëna, se deri ku do shkojë përgjegjësia kjo mbetet për t’u parë sepse unë s’mund të paragjykoj. Pastaj kemi rastin e zonjës Kryemadhi dhe zotit Meta, që hetimet janë drejt fundit. Është rasti i zotit Beqja për dyshimet për abuzime, që të jem korrekte dhe lidhjet klienteliste me farmaci të ndryshme. Dhe zoti Gjiknuri po ashtu bën ecejaket e tij në Prokurori. Presim të shohim rezultatet!/tvklan.al