Pas ceremonisë në kishë në ditën e kurorëzimit të Iva Tiços dhe Soren, ishte organizuar një festë e vogël dhe private. Ndryshe nga ç’jemi mësuar zakonisht ku mbizotërojnë dekoret e mëdha, çifti kishte preferuar minimalizmin, ngjyrat e pranverës dhe pastërtinë e detajeve ndaj nuk kishte si të organizonin një festë me shumë të ftuar.

Kjo mund të jetë e vështirë për t’u realizuar, por Iva zbuloi për “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan formulën ‘magjike’ të Marçela Latit për t’ia dalë edhe përzgjedhjes.

Iva Tiço: Kemi një festë të vogël, një festë që ështëpak e pazakontë për kushtet shqiptare, që të gjithë më thoshin nuk do të arrish ta bësh dot sepse janë 55, me gjithë ne dhe me 2-3 fëmijë të vegjël, bëhemi 60 vetë. Do të doja një dasmë të madhe që të mund të kënaqja të gjithë miqtë dhe gjithë njerëzit që unë  kam, por nuk do të doja kurrë një dasmë që ta mbizotëroja unë. Ajo është dasma jonë, është festa jonë kështu që kemi ngelur në një rreth shumë të ngushtë. Pasi unë po vija vërdallë si ta bëj, si ta realizoj,  Marçela tha është shumë e thjeshtë dhe ma rregulloi formulën. “Formula është që do të merrni vetëm njerëzit të cilët i frekuentoni të dy, që i keni frekuentuar këto 2-3 vitet e fundit vetëm të dy”.

Armand Peza shpjegon si u organizua festa në mënyrë që të kënaqeshin të gjithë të ftuarit.

Armand Peza: Fillimisht do të jepnim nga tradita jonë, do të përshtateshim nga tradita e gjermanëve të Soren-it dhe bëmë një miks të kulturës shqiptare me kulturën moderne. Ku ishte miksi? Po në numrin e të ftuarve. Iva vetë nuk donte që të kishim shumë të ftuar, Soren donte edhe më pak akoma dhe e çuditshmja është që vunë një kriter shumë të bukur dhe thanë ne do të ftojmë ata që unë dhe Soreni tha Iva, Iva dhe unë tha Soreni, frekuentojmë më së shumti./tvklan.al