Myzaferja ishte dëshmitare e vrasjes së vjehrrit dhe vjehrrës së saj në Peshkopi, nga djali i tyre, por tragjedia nuk mbaroi me kaq pasi pas ngjarjes, ajo bashkë me fëmijët dhe bashkëshortin u detyruan të largoheshin nga banesa. Këtë të diel në “Shihemi në Gjyq”, ajo kishte sjellë nënën e saj Valije, të cilës i kërkoi që ta mbante në shtëpi derisa të zgjidhej problemi me pasurinë e bashkëshortit të saj.

“Brenda kësaj familje kemi një pasuri. Kemi një hotel 5 katësh, ka qenë i ndërtuar totalisht nga prindërit e 3 fëmijëve dhe të cilët u ekzekutuan më 7 Qershor. Sot kemi dajat dhe xhajat, të cilët kanë marrë të drejtat mbi ndarjen e kësaj pasurie midis dy djemve dhe vajzës, e cila është minorene. Gjykata dhe Policia e Shtetit me ngjarjet që pretendohet që kanë ndodhur brenda familjes, kanë marrë masat për largimit të Myzaferes nga Valbona, duke i dhënë kësaj të fundit katin e parë të këtij hoteli. Katet e tjera nuk janë vendosur se kush do të banojë. Ky është edhe problemi i vërtetë i Myzaferes. Në këtë hotel, e gjitha familja mblidhej në katin e parë, në katet e tjera nuk kanë ambiente ku mund të jetonin sepse ua jepnin atyre që vinin për llixha. Kështu që arsyeja më e madhe e Myzaferes është që sot ndodhet me bashkëshortin, dy fëmijët dhe fëmijën që pret, ndodhen tek mamaja e saj e cila ka vetëm dy dhoma”,

tregon juristja Çobani.

Por si dhe përse u nda kjo pasuri? Vajza e vogël e familjes Sela, u largua tek xhaxhallarët dhe denoncoi Myzaferen për dhunë, akuzë të cilën kjo e fundit nuk e pranon. Gjykata vendosi që Myzaferja të mos i afrohej kunatës së saj 15-vjeçare. Në anën tjetër, me arsyetimin për të qetësuar gjakrat dhe për të ndarë pasurinë që kishte lënë çifti Sela, dajat dhe xhaxhallarët e tre fëmijëve të tyre vendosën të bënin një akt-marrëveshje, të firmosur edhe nga Floriani, djali i madh i të ndjerëve dhe bashkëshorti i Myzaferes.

Nga kjo marrëveshje, kati i parë i hotelit i jepej vajzës 15-vjeçare, ndërsa Florianit iu dha një ndërtesë 3 katëshe karabina. Në këto kushte ata vijojnë të jetojnë tek prindërit e Myzaferes. I pranishëm në studio, vetë Floriani pretendon se nuk ka qenë i vetëdijshëm kur ka hedhur firmën. Ai thotë se gjithë qëllimi ka qenë që daja të merrte pasurinë. Pikërisht ky dajë kërkon sot të marrë kujdestarinë e motrës së vogël, Valbonës.

Në akt-marrëveshjen në fjalë, thuhet se hoteli i llixhave do të administrohet nga vajza, duke rënë dakord që kjo pasuri të përdoret derisa vëllai i saj Qemal Sela, i cili vuan dënimin për vrasjen e prindërve, ta administrojë vetë atë.

“Në pjesën e parë të kësaj marrëveshjeje ne kuptojmë përse ka ndodhur edhe vrasja”,

shpjegon juristja Çobani.

“Pra si duket Qemali ka pretenduar se ka dhënë një masë të konsiderueshme financiare në ndërtimin e kësaj prone. Prindërit ndoshta nuk kanë qenë në fazën për t’i kaluar pasurinë dhe atëherë mund ë ketë ndodhur ndonjë konflikt, që dajat dhe xhajat sot pas vdekjes së dy prindërve, duan që në një të ardhme, kur ai të dalë pas vuajtjes së dënimit, të gëzojë këtë pasuri”.

Megjithatë, juristja sqaron më tej se kjo akt-marrëveshje nuk është ligjore.

“Duhet të mos harrojmë që Floriani me Myzaferen kanë qenë banorë në këtë shtëpi dhe banesa është kaq e madhe sa këta mund të lejoheshin që të jetonin edhe ata brenda. Këtu është bërë një akt-marrëveshje, që nuk është ligjore, por thjeshtë një vullnet mes palëve për t’u ulur dhe për të bërë një ndarje vetë ata, por që nuk kanë asnjë të drejtë. Dhe i kanë thënë Florianit, që dil nga shtëpia, bano përkohësisht tek vjehrrit, mbaro këtë banesën 3 katëshe që është vetëm karabina dhe hotelin, që ka qenë një burim jetese për këtë familje është mbyllur. Vajza minorene jeton me dajën. Ky biznes praktikisht është shkatërruar.”

Më tej Çobani thotë se hoteli është pasuri e përbashkët e të tre fëmijëve dhe se kjo akt-marrëveshje nuk ka fuqi që t’i nxjerrë ata nga shtëpia. Madje juristja u bën thirrje autoriteteve që të lejojnë rikthimin në banesë të Florianit dhe familjes së tij.

“Unë dua të të siguroj vetëm një gjë, që kjo akt-marrëveshje nuk ka asnjë lloj fuqie, është nul. Ndërkohë, ju duhet të bëni me urgjencë lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë së prindërve që kanë ikur nga jeta dhe më pas të bëni pjesëtimin e pasurisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Peshkopi, e cila jam e bindur që në zbatim të ligjit do të ndajë pasurinë për tre, në mënyrë më të drejtë të mundshme. Ti mos u mërzit, ligji ka fuqi, ligji do vendosë ku do jetosh ti, ku do jetojë Qemali dhe ku do të jetojë edhe Valbona.

“Ti me këtë akt-marrëveshje nuk mund të dalësh nga shtëpia. Kështu, i bëj thirrje Policisë së Rrethit Gjyqësor Peshkopi, por edhe Gjykatës të lejojë menjëherë hyrjen tënde në këtë banesë. Banesa do të ndahet një pjesë për ju dhe Valbonën, sipas kësaj që ka bërë gjykata dhe më pas ju do t’i nënshtroheni pjesëtimit të pasurisë për të tre trashëgimtarët”.

Vetë Myzaferja tha kishte shkuar në gjykatë dhe gjyqtarja i kishte thënë se nuk e kishte nxjerrë nga banesa.

“Shko futu në kat të dytë më tha”,

tregon 25-vjeçarja, ndërsa shton:

“Por unë nuk kam kushte, sepse në kat të dytë unë kam vetëm krevatë…”

Në fund, me optimizmin se ky problem do të zgjidhet sa më shpejt, nëna e Myzaferes pranoi ta mbajë familjen e së bijës në shtëpi edhe për pak kohë.

/tvklan.al