“Po tenton të kapë edhe Zotin”

Sipas politologut Arjan Curi, kryeministri Edi Rama ka të gjitha pushtetet në dorë pas zgjedhjeve që u zhvilluan më 30 Qershor. Gjatë emisionit “Zonë e Lirë” në Tv Klan, Curi u shpreh se Rama “është hoxha perfekt dhe prifti perfekt”.

Sipas politologut, i vetmi që i ka ngelur pa kapur kreut të qeverisë është Zoti, por po tenton ta kapë edhe atë.

“Pas 30 Qershorit jo vetëm që të gjitha pushtetet janë të Ramës, por Rama po synon të marrë përveç federatës së klubeve, tashmë i është lëshuar kishave dhe xhamive. Është hoxha perfekt dhe prifti perfekt. Shpiku edhe Zotin e vet. Ka shumë mundësi që ta kapë edhe Zotin se ndërkombëtarët i kapi se joshen ata. Median e ka në dorë, portalet po i fut me ligjin e ri. I vetmi që i ka ngelur pa kapur është Zoti, por po e tenton dhe atë”, tha Curi.

Sipas Curit, pushtetet e Ramës janë të votuara edhe nga vetë opozita. Ndërkohë nëse do të kishte një marrëveshje Rama-Basha sipas modelit gjerman, për Curin kjo do bënte që në vendin tonë të mos kishte më demokraci.

“Mbase ndonjë forcë që lëviz fijet pas opozitës mund të ketë dhënë urdhër që dilni nga loja që çdo gjë t’i jepet Ramës. Nuk e shikoj thjesht si politolog, e shoh dhe si filozof, shkoj deri në absurd. Jo vetëm që janë të votuara të gjitha këto pushtete, por janë të votuara dhe nga opozita. Dhe opozita vetë voton Ramën. Njëherë tentoi të hynte në marrëveshje me Ramën. U dëgjua nëpër korridore që ekzistonte edhe një dëshirë e fshehtë edhe nga opozita për bashkëqeverisje me Ramën. Atëherë i bie që nuk ka më demokraci”, u shpreh Curi. /tvklan.al