Dy përfaqësuesit e komunitetit turk që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ende nuk kanë vendosur nëse do të votojnë qeverinë e re të Kosovës.

Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke, pas takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ushtruesën e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, tha se ai bashkë me deputeten tjetër nga rradhët e këtij komuniteti do të qëndrojnë në sallë për votimin e presidentit, mirëpo bisedimet për votimin e qeverisë së re do të vazhdojnë deri të premten.

Ai tha se ky komunitet kërkon një post ministror si dhe i kanë parashtruar edhe disa kërkesa tjera. Sipas Damkës, në takim është diskutuar edhe një lidhje me hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Turqia e ka kritikuar Kosovën për këtë veprim.

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020 në Uashington për normalizim ekonomik. Hapja e saj pason vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

Damka tha se qeveria e ardhshme do të ballafaqohet me këtë sfidë.

“Ne do ta përcjellim këtë sfidë në qeverinë e ardhshme, por varet nga vullneti i saj si do të veprojë për këtë cështje, por ne si dy deputetë do të jemi pranë që të ketë zgjidhje të përbashkët me BE-në, OKB-në, vendet tjera dhe Turqinë në lidhje me ambasadën”, tha Damka pas takimit me Kurtin dhe Osmanin.

Osmani dhe Kurti të hënën zhvilluan takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me formimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ndërkaq, të martën, po zhvillohen takime me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Emilija Rexhepi nga partia boshnjake “Partia e re demokratike”, tha pas takimit se do ta përkrahë Qeverinë Kurti 2, si dhe zgjedhjen e Osmanit për presidente. Rexhepi ka fituar një mandat në Kuvendin e Kosovës.

Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat partia e Kurtit shënoi fitore bindëse, për 22 mars është caktuar mbajtja e seancës konstituive të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Përveç konstituimit të kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë, deputetët duhet të zgjedhin edhe presidentin e ri të vendit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë./REL