Debate në Malin e Zi për reformimin e Prokurorisë Speciale

Foto ilustruese


Debate në Malin e Zi për reformimin e Prokurorisë Speciale

09:34 07/02/2021

Deputetë të shumicës parlamentare në Mal të Zi kanë propozuar që të shfuqizohet prokuroria speciale dhe në vend të saj të formohet prokurororia  speciale për krimin e orgnizuar dhe korrupsionin. Kjo nismë e shumicës parlamentare ka shkaktuar reagime në rradhët e partive të opozitës, juristëve, sektorit jo qeveritar,  por reagime ka pasur edhe nga  zyra e Bashkimit Europian në Mal të Zi.

Opozita malazeze mendon se kjo është  dhunë politike, ndërsa shumica edhe më tej i përmbahet pozicionit, që prokuroria speciale ka qenë organ partiak, i cili duhet të çmontohet me qëllim të vazhdimit të reformave. Vendimin për ndryshimin e ligjit të prokurorisë e ka përshëndetur dhe rrejti i afirmimit të sektorit joqeveritar MANS, respektivisht drejtoresha Vanja Qalloviq Markoviq. 

Tek ndryshimi i këtij ligji ajo sheh rrugën që të fillojnë përfundimisht hulumtimet për lëndë tejet të rëndësishme para se ato dhe dëshmitarët të zhduken. Lidhur me këtë çështje është diskutuar edhe në takimin që përfaqësuesja e lartë e BE-së Oana Kristina Popa pati me kryeministrin e Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, dhe ministrin e Drejtësisë dhe të Pakicave Vlladimir Leposaviq. Për një progres të mëtejmë në rrugën drejt integrimeve në  Bashkimin Europian është me rëndësi jetike që Mali i Zi të realizojë rezultate shtesë e jo tëmbetet prapa në realizimin e reformave në drejtësi, ka deklaruar  Oana Kristina Popa.

Arrestohen ish-zyrtarë të dyshar për keqpërdorim fondesh

Në Mal të Zi vazhdojnë arrestimet e ish-zyrtarëve të lartë në poste të rëndësishme për – siç thuhet – keqpërdorim të detyrës dhe shkaktimin e dëmeve milionëshe buxhetit të shtetit.  Policia ka arrestuar ish-kreun e Fondit të Zhvillimit të Investimeve (IRF)  Zoran Vukçeviq dhe tre të tjerë, për dyshimet për korrupsion.  Ata dyshohen për shkak të një kredie nga Abu Dabi të destinuar për zhvillimin e bujqësisë.

Vukçeviq  u arrestua me urdhër të Zyrës së Prokurorit Special të Shtetit. Dy të dyshuar të tjerë janë ish-ministri Petar Ivanoviçq dhe Budimir Mugosha.  Zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq ka reaguar pas këtyre arrestimeve, duke kërkuar heqjen e imunitetit për Ivanoviç. “Arrestimet e disa personave kanë filluar si pjesë e çështjes së Fondit Abu Dabi, në të cilën buxheti u dëmtua me disa dhjetëra milionë euro. Unë pres që imuniteti parlamentar i aktorit kryesor në këtë çështje, ish-Ministrit të Bujqësisë, Petar Ivanoviç, të hiqet sa më shpejt të jetë e mundur”- ka thënë Abazoviq.

Në qershor të vitit 2015, Ivanoviç, si Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nënshkroi marrëveshjen e huasë me Mohammed Al Suwaidi, drejtori i përgjithshëm i fondit, duke thënë se kredia do të përdorej për të rritur prodhimin bujqësor në  veri të Malit të Zi. Organet hetimore kanë filluar të marrin në pyetje sipërmarrësit, të cilët kanë përfituar nga kjo kredi por që nuk kanë realizuar projektet e parashikuara për zhvillimin.

Shfuqizohet vendimi  gjyqësor për “Puçistët”

Gjykata e Apelit shfuqizoi (05.02) vendimin, me të cilin 13 persona të akuzuar për përpjekje për terrorizëm, në ditën e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, ishin dënuar me gati 70 vjet burg. Gjykata e Apelit pranoi ankesat e avokatëve mbrojtës të të dënuarve në shkallën e parë me aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Podgoricë, i cili u shqiptua më 9 maj të vitit 2019. Procedimet u rikthyen në Gjykatën e Lartë, por siç thuhet në vendim, ato u rikthyen “përpara një dhome gjyqi të ndryshuar plotësisht”.

Në mesin e tyre janë edhe shtetasit rus Eduar Shishmakov dhe Vlladimir Popov, të cilët u akuzuan se kanë bërë vepër penale të terrorizmit në tentim dhe ishin dënuar në shkallën e parë me 15 dhe 12 vjet burg. Lideri i Frontit Demokratik (DF), Millan Knezheviq dhe Andrija Mandiq, ishin të dënuar me nga 5 vjet burg nën akuzën për krijimin e organizatës kriminale. Aktgjykimi është shfuqizuar edhe për shtetasit serbë të akuzuar. 

Tentimi për të bërë “grusht shteti” në Mal të Zi ka ndodhur në ditën e zgjedhjeve parlamentare, në nëntor të vitit 2016, kur shërbimet malazeze të sigurisë arrestuan disa dhjetra shtetas të Serbisë, të cilët dyshoheshin për përpjekje për të kryer aksione terroriste, në mënyrë që të përmbysnin qeverinë me një ndërhyrje të dhunshme në Parlamentin e Malit të Zi dhe për kapjen ose likuidimin e kryeministrit të atëhershëm, Millo Gjukanoviq.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të përfaqësuar nga Kryeprokurori special, Millivoje Katniq, qëllimi i të akuzuarve ishte që të parandalonin Malin e Zi që t’i bashkohej aleancës së NATO-s, si dhe një ndryshim të dhunshëm të qeverisë në Malin e Zi./DW







Të ngjashme