Skandali që përfshiu qeverinë austriake në vitin 2019 dhe solli dorëheqjen e saj në bllok ka marrë sot një zhvillim krejt të papritur. Mediat austriake publikuan sekuenca të reja të video përgjimit në ishullin spanjoll të Ibizas që mund ta lehtësojnë pozitën e viktimës kryesore që shihet në filmime, ish zv/kancelarit Heinz-Christian Strache. Ai shihet në momente relaksi pranë një oligarkeje të supozuar ruse, të cilës i ofronte tendera publik e kontrata shtetërore, në shkëmbim të mbështetjes për fushatën zgjedhore.

Tani që janë shfaqur fragmentet e transkriptit të tekstit nga dosjet e prokurorisë publike nga pesë minutat e tjera të videos shihet që ish-Kancelari Heinz-Christian Strache, me sa duket nuk pranoi në atë kohë të bënte akte të paligjshme me mbesën e një oligarku të supozuar rus. Videoja e shpërndarë askokohe nga gazetat “Spiegel” dhe “Süddeutsche Zeitung” bën fjalë për një ide të oligarkes, për të blerë gazetën e njohur austriake me tirazhin më të lartë në vend “Kronen Zeitung”, kundrejt 270 milionë Eurove që partia e tyre e djathtë të mbështetej përpara zgjedhjeve.

Çështja Ibiza shkaktoi një nga krizat më të mëdha qeveritare në Austri vitin e kaluar. I ashtuquajturi video skandali i Ibizës u regjistrua fshehurazi në një vilë plazhi në Ibiza në verën e vitit 2017. Politikanët kryesorë të partisë së djathtë të lirisë Strache dhe Johann Gudenus u filmuan me një aparat fotografik të fshehur, ndërsa ata dukej se i bënë oferta një mbese të supozuar të një oligarku rus që jepte përshtypjen e akteve të korrupsionit.

Strache ishte udhëheqësi i partisë së FPÖ në atë kohë. Vetë Strache kishte konfirmuar vazhdimisht se ai i kishte thënë të vërtetën pas skandalit. Në takimin në vilë ai dëgjohet të thotë “theksoi vazhdimisht” se “kurrë nuk donte të bënte asgjë të pandershme”. Ish-zv/Kancelari ka komentuar materialin që është botuar tani.

“Kjo tregon shumë mirë se sa manipuluese ishte publikimi i videos një vit më parë. Pesë minutat e reja, si edhe pjesa tjetër e videos, dëshmojnë siç kam theksuar vazhdimisht se nuk dua të bëj asgjë të paligjshme”, tha Strache. Avokati i Strache, Johann Pauer foli për përzgjedhje qëllimisht me montazh të pjesëve të publikuara asokohe në videopërgjim.

 Klan Plus