Kohë më parë emisioni “Stop” transmetoi me kamera të fshehtë rastin e një qytetari nga Elbasani, i cili prej 27 vjetësh sorollatej për të privatizuar objektin, që i takonte.

Sektori i Privatizimit në Ministrinë e Financave nuk përfundonte procedurat, derisa u pagua ryshfeti prej 1 milionë lekësh. Në këtë moment procedura për privatizimin e objektit përfundoi brenda muajit.

Pas këtij publikimi Prokuroria regjistroi procedimin për korrupsion aktiv-pasiv dhe çështja i kaloi SPAK-ut. Por absurdi është se prokuroria po dërgon për vepër penale edhe denoncuesin, i cili denoncoi fenomenin dhe ishte viktima e burokracive korruptive.

Avokati i denoncuesit, Arben Llangozi, shpjegon ku ka gabuar SPAK, që po çon për ndjekje penale edhe denoncuesin.

“Pas publikimit të pamjeve filmike korruptive që janë transmetuar nga emisioni “Stop” ka filluar procedimi penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për faktin se personat që ishin nën hetim janë funksionarë të lartë shtetëror. Prokuroria ka shpallur moskompetencë duke ia drejtuar SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme ka bërë hetime të gjithanshme dhe ka konkluduar që duhet të marrë të pandehur tre persona për këtë transmetim të kësaj videoje korruptive. Personat që duhet të merreshin të pandehur sipas organit të prokurorisë ishin dy funksionarë të lartë të shtetit dhe denoncuesi. Jemi dakord në të gjithë arsyetimin që thotë organi i prokurorisë përveç faktit ku thotë se organi i prokurorisë pretendon se regjistrimi i pamjeve filmike është bërë nga shtetasi, por nga të gjitha provat në dosje regjistrimi i pamjeve filmike është bërë nga emisioni “Stop”. Ka kërkuar që të zgjidhë problemin e tij. Nuk e ka zgjidhur problemin dhe është detyruar nga rrethanat dhe faktet që t’i drejtohet emisionit “Stop” për zgjidhjen e këtij rasti. Mund të denoncohet publikisht, pranë një institucioni shtetëror siç është policia, prokuroria etj, por bërja publike e këtij rasti është një denoncim më vete dhe në bazë të këtij denoncimi që është bërë pranë denoncimit “Stop” dhe ka nisur një procedim penal. Bazuar në nenin 52 a shtetasi përjashtohet nga përgjegjësia penale”, tha avokati.

Ai shtoi se shtetasi që ka bërë denoncimin nuk ka kryer veprim të kundërligjshëm. /tvklan.al