Gjashtë persona të dyshuar për spiunazh me Rusinë dhe Kinën janë arrestuar në Gjermani këtë muaj.

Një ndihmës i eurodeputetit Maximilian Krah, i cili kryeson në partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë është arrestuar me dyshimin se ka spiunuar për Kinën. Jian G akuzohet si “punonjës i një shërbimi sekret kinez”.

Prokurorët kanë nisur gjithashtu hetimet paraprake ndaj vetë politikanit mbi pagesat e supozuara nga burime pro-ruse dhe kineze, por Krah mohon çdo akuzë. Gjithashtu edhe Petr Bystron, emri i dytë në listën e AfD-së, mohoi pretendimet se ai kishte marrë para nga faqja e internetit Zëri i Evropës.

Dy shtetas gjermanë me origjinë ruse janë arrestuar me dyshimin se kanë komplotuar për të sabotuar ndihmën ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën, ndërsa tre gjermanë janë arrestuar pasi dyshohet se kanë planifikuar të kalojnë modele të avancuara të motorëve tek inteligjenca kineze.

Ekspertët shprehen se është vërtet e pazakontë që një numër kaq i lartë arrestimesh me pretendimin për spiunazh për Rusinë dhe Kinën të kryhen në të njëjtën kohë. Mes të tjerash ata vënë në dukje se rastet nga Rusia mund të pasqyrojë një dëshirë nga ana e Kremlinit për të përshkallëzuar sulmet ndaj ndihmës për Ukrainën. Arrestimet u bënë të vështira pas kthimit të kancelarit Olaf Scholz nga bisedimet me Presidentin e Kinës Xi Jinping në Pekin.

“Është vetëm një nivel krejtësisht i ri i përshkallëzimit. Këta njerëz mblodhën informacione për të ndihmuar në organizimin e operacioneve sabotuese kundër objekteve ushtarake në tokën gjermane.”, shprehet Andrei Soldatov ekspert i shërbimeve ruse të sigurisë.

Sipas Soldatov një arrestim është gjithmonë një vendim politik dhe agjencitë e kundërzbulimit në të gjitha vendet preferojnë të mos arrestojnë njerëz sepse është më mirë t’i ndjekin dhe të monitorojnë aktivitetet e tyre në mënyrë që të mësojnë më shumë rreth rrjeteve dhe aktiviteteve të tyre. Disa zyrtarë në shërbimet e inteligjencës i shohin arrestimet e fundit të profilit të lartë si një mënyrë për të theksuar shtrirjen e infiltrimit të huaj armiqësor në Gjermani.

Klan News