Në studion e “Opinion”, Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e kësaj të enjteje se mbajta e detyrueshme e maskës me gjasë do të qëndrojë gjatë, minimalisht deri në fund të dimrit. Ndryshe nga e shkuara Rama tha se këtë herë, gjobat nuk do të ketë mundësi të falen.

“Maska sipas gjasave do të qëndrojë gjatë e detyrueshme, minimumi deri në dalje të dimrit. Frika më e madhe është çfarë do të sjellë gripi sezonal si komplikim më shumë sepse një i ri që është vulnerabël, që e kap gripi sezonal, po e kapi dhe Covidi hyn në një kolaps më të madh potencial. Kështu që gjobat do të merren çdo muaj në faturat e dritave dhe nuk do të ketë mundësi të falen”.

Sa i përket faljes së gjobave të vëna me herët, Rama tha: “Ka një ndryshim, së pari ne kemi vendosur gjoba dhe një pjesë e rëndësishme e tyre janë paguar. Së dyti, në kushtet kur kjo është një luftë shumë e gjatë dhe kur sidoqoftë njerëzve u janë bllokuar me muaj makinat. Ideja që t’ua kthejmë është një ide që shkon në sensin e mirëkuptimit dhe nevojës për ta trajtuar këtë situatë si një familje.”

Pyetjes nëse falja e gjobave është pjesë e fushatës elektorale, Kryeministri i përgjigjet me mohim.

“Unë nevoja elektorale nuk kam, sikur sot të ndaloj së bëri çdo gjë, më 25 Prill partinë tënde unë do ta mund. Ti je lideri real në terren i PD, lideri i madh është ai që ke në Lalëz. Ti je reali, ai është virtuali i PD. Do t’ju mund më 25 Prill dhe këto nuk janë fare për nevoja elektorale”./tvklan.al