Indeksi i biznesit në ekonomi vitin që kaloi shënoi rënie me 4.83% krahasuar me vitin 2014, ndërsa pritshmëritë për 2016 -ën janë pozitive. Përfundimi është i Dhomës Amerikane të Tregtisë, pas një ankete me bizneset vendase dhe të huaja. Sipas saj, shqetësuese për sipërmarrjen mbetet niveli i taksave, monopolet, konkurenca e padrejtë dhe burokracia qeveritare, ndërsa treguesi i  informalitetit në ekonomi ka shënuar përmirësim.

Për rënien e indeksit të biznesit në ekonomi gjatë vitit të kaluar ka mbetur i zhgënjyer edhe Ambasadori Amerikan Donald Lu, i cili në fjalën përshëndetëse, botuar në fillim të këtij sondazhi, inkurajon qeverinë dhe investitorët që ta përdorin këtë raport, si një mjet të fuqishëm për t’u përqendruar dhe për t’i dhënë prioritet reformave për klimën e biznesit në Shqipëri. Nga ana tjetër Ministri Financave, Arben Ahmetaj, thotë se pritshmëritë optimiste për vitin 2016 tregojnë për rritje të besimit në ekonomi.

Drejtues të Dhomës Amerikane ritheksuan sërish nevojen e miratimit sa me shpejt të Reformës në Drejtësi si një hap që do të ndihmonte direkt biznesin.

Tv Klan