I moshuari në allçi nuk merr shërbim

Në këtë kohë pandemie është shumë e vështirë që të sëmurët me sëmundje të ndryshme të marrin shërbimin e duhur.

Sofie Cecaj, me banim në zonën e Astirit në Tiranë, është drejtuar në redaksinë e emisionit “Stop”, pasi ka një problem me bashkëshortin e saj, i cili është rrëzuar në Dhjetor 2019 dhe e kanë çuar në Spitalin e Traumës.

Ai theu kockën e legenit. Përvec kësaj, i vunë allçi në pjesën e poshtme të këmbës. Pas tre muajsh duhet të shkonte të hiqte allçinë, por në spital nuk u është përgjigjur njeri, madje doktori nuk përgjigjet as në telefon.

Burri im ra nga krevati poshtë në çimento, theu këmbën në muajin Dhjetor. E çuam tek Spitali Ushtarak, i bënë grafinë, e nxorën edhe me të thyer këtu tek kocka e kryqeve, doktorët nuk e zunë me dorë fare, thanë merre dhe ikni në shtëpi se ky nuk bëhet njeri. I vunë allçi, e sollëm në shtëpi. Edhe në krye të tre muajve tha ai, do t’i heqim allçinë. Pas tre muajve do të hiqnim allçinë, nuk na u përgjigj. E ka marrë djali në telefon dhe nuk përgjigjet. Ka vajtur djali edhe tek spitali, kam vajtur edhe unë në Laprakë, e kërkova, nuk është këtu, nuk është këtu, që prej asaj kohe kanë kaluar 5 muaj dhe ai vazhdon të jetë më allcinë e Dhjetorit. Kërkoj ndihmë, të bisedoni me atë doktorin, të vijë, të na japin ndonjë ndihmë, ndonjë karrocë, ndonjë gjë, se hiç moj bija e nënës, asnjë gjë”, tha Sofie Cecaj.

Për problemin e zotit Spiro, “Stop” iu drejtua Spitalit të Traumës. Për shkak të moshës së tij të thyer dhe gjendjes delikate ku ndodhet, “Stop” nuk mundi ta kryejë dot transferimin e tij, për këtë arsye, gazetarja i kërkoi 127-ës transportimin e tij.

Përveç heqjes së allçisë, të moshuarit iu sigurua edhe një karrocë invaliditeti.

Bëtë sa mundët, sa për mua jam shumë e kënaqur. Juve të dy në radhë të parë dhe ata atje”, tha Sofie Cecaj. /tvklan.al