I ftuar në programin “Rudina”, në Tv Klan këtë pasdite ishte aktori dhe regjisori i njohur Artan Imami. Ai do të risjellë pas 24 vitesh, shfaqjen “Don Zhuani”, një kryevepër të letërsisë botërore, që bëri bujë dhe u ndalua në kohën e vet, pasi përmes personazheve të tij godiste kishën.

Imami i rikthehet sërish “Don Zhuanit”, pasi asokohe shfaqja e veprës së tij u ndërpre nga trazirat e vitit 1997. Premiera e veprës do të jetë në datën 6 Mars. Aktori në studio tregoi më shumë për këtë rivënie, kastin e aktorëve që ka përzgjedhur, si edhe surprizat që e presin publikun.

Artani premton një shfaqje mbështetur në simbolika të fuqishme, që nuk vizaton vetëm portretin e një fisniku të shthurur ateist, që nuk lodhet duke vrapuar nga njëra aventurë dashurore te tjetra, pa gjetur asnjëherë paqe. Përkundrazi, i neveritur nga mishi, ndërsa nxiton tek një tjetër histori, tek një tjetër grua, fati i së cilës nuk do të jetë më i mirë se ai i paraardhëses, Artan Imami synon të “zhveshë” hipokrizinë politiko-shoqërore të kohërave që jetojmë, shenjuar nga mashtrimi, raportet e dyshimta dhe sipërfaqësore.

Artan Imami: Ka ngjallur një diskutim të pafund në kritikët e artit sepse është një vepër hibride, një vepër që alternon komizmin me tragjizmin. Skenat janë të alternuara, është shumë e ashpër, në kuptimin në temën kryesore që ka, goditjen ndaj hipokrizisë. Erdhi me nota shumë të forta në komedi, por armiqtë e tij thoshin gjithmonë, që ky maskarai e ka bërë kastile këtë punë, që të fshehi atë helmin e tij që ka kundër kishës. Është një komedi hibride, pjesë teatrale e mrekullueshme./tvklan.al