Dyfishohen kalimet e paligjshme në kufi përmes Shqipërisë

Dyfishohen kalimet e paligjshme në kufi përmes Shqipërisë

15:51 28/08/2019

Frontex: Në 7 muajt e parë kaluan 5800 emigrantë

Rritet numri i kalimeve të paligjshme në vendin tonë. Sipas Frontex, vetëm në muajin Korrik, në vend kanë hyrë 460 emigrantë të paligjshëm. Ndërsa vetëm 7 muajt e parë të këtij viti, në vend janë regjistruar afro 5 800 emigrantë, dyfishi i shifrës nga një vit më parë.

Sipas të dhënave të fundit të përpiluara nga Frontex, pjesën më të madhe të emigrantëve të paligjshëm e përbëjnë shtetasit nga Afganistani dhe Irani.

Në raportin e Agjencisë Europiane për Kufijtë Tokësore dhe Bregdetarë, rruga paralele që kalon nga Shqipëria në Mali të Zi dhe Bosnje Hercegovinë ka parë rritje të fluksit migrator, të dyfishuar krahasuar me një vit më parë.

Prej 22 Majit, shërbimet e Frontex-it janë vendosur në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Salla e komandimit përbëhet nga 6 oficerë të Frontex dhe 1 shqiptar, që kontrollojnë të gjitha lëvizjet që ndodhin në pikën e kalimit kufitar.

Ndërsa i gjithë kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë monitorohet nga 50 oficerë të misionit. Shqipëria është vendi i parë jashtë Bashkimit Europian që bashkëpunon me Frontex, për patrullimin dhe ruajtjen e kufijve.

Edhe në Europë numri i emigrantëve të paligjshëm arriti në 10 mijë e 500, duke u rritur me 4 % krahasuar me muajin Qershor.

Në përgjithësi, totali për shtatë muajt e parë të 2019 arriti në rreth 54, 300 emigrantë. Edhe Numri i mbërritjeve në ishujt Grekë në Egje u rrit me një 25%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku shumica e emigrantëve ishin nga Afganistani.

Tv Klan





Grupi
LAJMET

Të ngjashme




Grupi