Rama: Synojmë ta rrisim në mënyrë konstante mandatin e ardhshëm

Qeveria do të japë dyfishin e ndihmës ekonomike deri në fund të pandemisë së Covid-19. Vitin e shkuar ndihma u dyfishua që në muajin Prill, ndërsa është miratuar vendimi për të dhënë këtë pagesë të rritur deri në Qershor.

Kryeministri Edi Rama tha se në mandatin e ardhshëm do të synohet dyfishimi i kësaj pagese në mënyrë konstante, për të rritur mbështetjen e familjeve në nevojë.

“Kemi dyfishuar ndihmën ekonomike, do të jetë dyfish deri në fund të pandemisë, dhe do të synojmë dyfishimin e saj konstatnt gjithë kohës dhe pas përfundimit të kësaj lufte”.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Kryeministri Rama tha se modeli i tatimit progresiv të pagës është ai që lehtëson xhepat e punonjësve, ndërsa tha se nuk ka në plan të ulë taksat për pronarët.

“Ju me Bashën do të paguani 9% më shumë, kurse unë nuk do të ul taksa për pronarët, ata mos më votojnë”.

Duke prezantuar shifrat e arkëtimeve të tatimit mbi fitimin në vite, Edi Rama tha se është rritur me 142% të ardhurat nga tatimi i kompanive të mëdha, ndërsa këtë vit, qeveria e tij bëri zero taksën për të gjithë biznesin e vogël.

“PD shan oligarkët, por flet ditën dhe i përqafon natën”.

Kryeministri mohoi në mënyrë kategorike hartimin e një pakete tjetër në ndihmë të biznesit, ndërsa ia la në dorë Komitetit të Ekspertëve vendimin nëse do të ketë shtrëngim të masave.

“Nuk ka paketë tjetër. Masat do të merren në bazë të sugjerimeve të ekspertëve”.

Shqipëria ka konfirmuar ardhjen e 360 mijë dozave të vaksinave nga AstraZeneca, ndërsa është në pritje të përgjigjes nga një shtet tjetër të një sasie të konsiderueshme.

“Miratimi në nivel autoritetesh shëndetësore është bërë, pritet vetëm vula nga kolegu im”.

Duke ia lënë në dorë nisjes së fushatës elektorale prezantimin e plotë të programit ekonomik, Rama tha se listat e deputetëve do të propozohen nga drejtuesit e qarqeve, duke lënë pezull pyetjen nëse do të përfshihen emra si Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati e Sandër Lleshaj.

“Kur t’i bëjnë drejtuesit e qarqeve do t’i miratojmë në kryesi”.

Ai përshëndeti nisjen e hetimeve nga SPAK për përgjimet e grupit Ndraghetta dhe lidhjet e tyre në Shqipëri, edhe pse vetë nuk e beson se janë të vërteta.

“Deri tani janë dokrra”.

Tv Klan